Rama, një anije e braktisur

Edhe më të vendosurit e opozitës e kanë marrë vesh se Edi Rama s’ka asnjë vullnet të garantojë votat e tyre, gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Pas formalizimit të vendimit të PDK-së për t’iu bashkuar koalicionit që drejtohet nga PD-ja, ka ardhur radha e Paskal Milos, i cili deklaroi dje se ka nisur t’i bëjë llogaritë jashtë aleancës së PS. Arsyeja është e thjeshtë: “Rama s’ka besim tek aleatët dhe sakrifikon votat e tyre për interesat e tij private”
Pas distancimit zyrtar të Nard Ndokës nga koalicioni politik i Partisë Socialiste, edhe Paskal Milo i Demokracisë Sociale deklaron se do ri-shohë aleancën me partinë më të madhe të opozitës. I njohur për qëndrimet e tij kokëforta në marrëdhëniet me aleatët dhe shpesh herë dyshues ndaj tyre, Rama po tregon sërish, 10 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme se, s’e ka për gjë të shkojë në to me një koalicion të mangët, mjafton që të mos ndiqet, siç i ka etiketuar pak vite më parë, nga “xhaketat e vjetra”. Ndonëse kreu i Demokristianëve është më i prerë në qëndrimin e tij për të braktisur koalicionin opozitar, Paskal Milo duket i pavendosur, ndonëse nuk fsheh pakënaqësitë e tij kundrejt Edi Ramës. Milo ngre pikëpyetje rreth procesit të administrimit të zgjedhjeve dhe veçanërisht të garantimit të votës, ku sipas tij partitë e vogla janë të diskriminuara nga kodi i ri zgjedhor. “Kemi një përvojë të hidhur të vitit 2009, sepse ishim të papërgatitur, të pamësuar dhe nuk e njihnim Kodin Zgjedhor sesi zbatohej në praktikë. Tani të gjitha këto gjëra ne i dimë mirë, e dimë ku mund të çalojë procesi dhe dimë se çfarë masash do të marrim. Pra, jemi në një proces reflektimi për të përgatitur gjithë partinë për të përballuar sfidën e ardhës. Është e sigurt që do të jemi patjetër në Kuvendin e Shqipërisë, do të përfaqësohemi dhe me bindje po kaq të plotë them se do të jemi pjesë e qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë. Kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë në pozicionin tonë të partisë së qendrës së majtë. Pra asnjë të mos ketë iluzione se PDS do të lëvizë nga pozicioni i saj politik, ne duam që të shkojmë në një koalicion me PS dhe me gjithë aktorët e tjerë opozitarë”- u shpreh ai.
Kreu i PDS i referohet edhe qëndrimit të mbajtur nga lidershipi socialist ndaj aleatëve të vegjël. Sipas tij, Rama është dyshues dhe mosbesues ndaj spektrit politik të majtë.
“Të kenë shumë më tepër besim tek aleatët, shumë më tepër institucionalizim të bashkëpunimit mbi baza parimore dhe të ndershme dhe të mendojë më shumë për të fituar Shqipëria dhe shqiptarët dhe jo për të fituar një grup i caktuar cili do qofshin ata”- tha ai.
Nard Ndoka: PS s’i qëndroi marrëveshjes/“Ne jemi deklaruar qartë që, nëse PS-ja mban një qëndrim të kundërt me kërkesat e aleatëve të vet dhe partive të tjera opozitare, nuk do të jemi pjesë e koalicionit me PS-në. Ne kemi vendosur një gjë të tillë, nuk e shohim PS-në si një aleate, partnere e ardhshme. Nuk ka një fizionomi për ndërtimin e koalicioneve për zgjerimin e tyre, për të krijuar një frymë opozitare në vend, por disa kalkulime nëpër zyrat e PS-së që e kanë nxjerrë lidershipin jashtë realitetit politik, duke e bërë atë të largët për partitë aleate por dhe për qytetarët. Me PD-në ka pasur ngrirje të marrëdhënieve politike që në kohën kur PDK-ja u nxor nga qeverisja në mënyrë të njëanshme. Sot janë tejkaluar ato raporte midis palëve dhe nuk shohim ndonjë pengesë në fund të fundit për t’u takuar dhe për të nënshkruar marrëveshje për një bashkëpunim në të ardhmen me këtë formacion politik për të ndërtuar një aksion politik së bashku”.
...