E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peng për 11 orë nëna me të bijën 3-vjeçare

Një grua 34 vjeçe dhe vajza e saj 3 vjeçe janë marrë peng të mar
tën në mesditë në Patos dhe janë gjetur në mesnatë të lidhura
pas një peme, në varrezat e qytetit. Policia njoftoi se pengmarrja e
34-vjeçares dhe fëmijës është njoftuar rreth orës 14:30 të së martës
nga Qani Koroveshi, bashkëshorti i të rrëmbyerës. Nga burimet
zyrtare të policisë mësohet se 40-vjeçari ka treguar se bashkëshortja
Marjeta kishte dalë nga shtëpia me vajzën e vogël 3 vjeçe, rreth orës
09:00 dhe i është drejtuar një dyqani të lagjes, por nuk është kthyer
më. Për më shumë se 4 orë burri ka kërkuar nëpër të gjithë qytetin
me makinë dhe si përfundim i është drejtuar policisë. "Besoj se e
kanë rrëmbyer", ka thënë ai. Menjëherë policia ka nisur kërkimin e
gruas dhe fëmijës së saj, duke ushtruar kontrolle në të gjitha hotelet
dhe motelet e zonës, si dhe duke ngritur postblloqe në të gjitha
rrugët e Patosit. Rreth dhjetë orë pas zhdukjes, një telefonatë ka
njoftuar për vendndodhjen e 34-vjeçares dhe vajzës së saj. Burimet
policore tregojnë se gruaja është gjetur rreth orës 20:00 të së martës
e lidhur nga këmba në një pemë ulliri pranë varrezave të Lagjes
së Re në Patos. Ndërkohë, vajza 3 vjeçe ishte lidhur edhe ajo me
litar pas trupit të nënës. Policia tha se gruaja kishte në trup shenja
dhune. Ajo është marrë në pyetje në praninë e një psikologeje, por
policia nuk ka nxjerrë asnjë detaj të rrëfimit të saj, duke e konsideruar
këtë sekret hetimor. Ndërkohë, mësohet se gjatë kohës kur bashkëshorti
i gruas së rrëmbyer ishte në polici, një femër i ka telefonuar
me celularin e gruas së tij dhe i ka kërkuar një shumë të madhe
parash. Qani dhe Marjeta Koroveshi, të ardhur në Patos nga një
fshat i Mallakastrës, kanë jetuar për shumë vite në Greqi. Policia
dyshon se pengmarrja mund të jetë kryer për t‘u hakmarrë ndaj
burrit, i cili lëviz shpesh nga Shqipëria në Greqi për qëllime ende të
panjohura nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›