Fatjona Spahia dhe Oklend Hyseni, Miss dhe Mister Durrësi
Durrësi ka kurorëzuar më të mirët e bukurisë së tij gjatë një spektakli që finalizoi përgatitjet dymujore të 32 konkurrentëve. Juria përzgjodhi Fatjona Spahian si "Miss Durrësi", ndërsa skeptri i bukurisë mashkullore këtë herë u ndal në duart e Oklend Hysenit. Dy bukuroshët e përzgjedhur nga juria dhe duartrokitjet e sallës së teatrit "Aleksandër Moisiu" do të përfaqësojnë qytetin bregdetar në aktivitetet e ardhshme kombëtare të bukurisë, duke synuar të përsërisin suksesin e paraardhësve të viteve kaluara. Fitimin e një vlerësimi të ri të bukurisë në nivel kombëtar. Sirena dhe princi i bukurisë durrsake, Fatjona Spahia dhe Oklend Hyseni, ndihen të angazhuar për të sjellë në Durrës një tjetër titull bukurie. Spektakli me organizatore Myzejen Kondurin është pritur mirë nga spektatorët që kanë mbushur sallën e teatrit, mbrëmjen e së dielës, pasi ka përcjellë freskinë e moshës, si dhe vlerat që mbart bukuria dhe arti në Durrës. Të rinjtë konkurrentë kanë sfiluar me veshje të ndryshme dhe kostume banje për të shfaqur hiret e tyre, si dhe u janë përgjigjur pyetjeve të përgatitura nga stafi dhe juria për të dëshmuar përtej bukurisë fizike dhe atë mendore. Për dy fituesit, por edhe për të tjerë të rinj që spikatën dhe fituan vlerësimin e jurisë me marrjen e titujve të ndryshëm u realizua një ëndërr e bukur që e shfrytëzuar mirë do t‘u hapë dyert për një të ardhme në botën e bukurisë dhe spektaklit. Publiku, kryesisht në moshë të re, ka duartrokitur edhe daljet e interpretimet në skenë të këngëtarëve të ftuar, si dhe koreografinë e realizuar nga Arjan Plaku.