E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Porosia" e Tanit, në ëndërr...

Nata e kaluar ishte shumë e rëndë për mua; jo vetëm, sepse rashë në shtrat e dërrmuar me mendimin e keq në kokë se Tani nuk jeton më, por sepse edhe në orët e gjumit kujtimi i tij më ngacmoi sërish. Nuk di si mund të duket, por mbrëmë në ëndrrën time u shfaq fytyra e qeshur e Tanit, pikërisht si në imazhin e tij, që ekranet tona transmetuan shpesh këto ditë. Pastaj m‘u bë se ra zilja e derës së shtëpisë sime dhe këtu ëndrra m‘u këput në mes, e gjumi më doli, ndërsa zemra më rrihte fort nga lloj-lloj ndjenjash.

Mëngjesi më gjeti duke menduar se shpirti i tij po kërkon të gjejë prehje vetëm duke qenë pranë secilit prej nesh, për të na porositur e bërë vërejtje për mënyrën sesi po bëjmë punën që na besoi...

Nuk kam pasur rastin ta njoh nga afër Tanin (po e quaj siç të gjithë e thërrisnin) dhe as të bisedoj me të, qoftë edhe një herë të vetme. Kisha dëgjuar për të, kur punoja në një media tjetër dhe e admiroja nga larg atë çka kishte arritur të bënte.

Më dukej ëndërr që një ditë të isha pjesë e medias së tij dhe për fat, një ditë kjo ëndërr m‘u bë realitet. Besoj që kam të drejtë t‘ia kushtoj Tanit realizimin e kësaj ëndrre, nëpërmjet frymës që ai kishte krijuar në "Top Media", për të afruar njerëzit që e duan punën dhe dinë ta bëjnë atë.

Nuk pata rastin t‘ia them ndonjëherë se isha e mrekulluar nga gjithçka transmetonte në ekranin e televizionit të tij, as ta falënderoja për mënyrën se si kishte arritur të bashkonte të gjithë shqiptarët dhe as t‘i thosha sa shumë na e kishte ndryshuar jetën të gjithëve ne që punojmë në "Top Media". Më të vjetrit këtu kanë dhjetëra arsye më shumë për të derdhur lot, por lejohet besoj, që edhe dikujt më të ri këtu, t‘i dhembë zemra për këtë humbje, që më duket se nuk është thjesht humbja e një njeriu të zakonshëm...

Nëpër studiot dhe redaksitë, në hollin e "Top Medias" mungon prania e Tanit, por jam e bindur se shpirti i tij do t‘i afrohet gjithë secilit prej nesh, për të na siguruar se nuk na ka braktisur dhe se do të na mbështesë në çdo përpjekje që ne bëjmë për të ecur përpara, për të vazhduar projektet e tij gjigante, ashtu siç i përfytyronte ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›