Fatmir Rexhepi do një qeveri tjetër

Kandidati i LDK-së për Kryetar të Gjilanit, Fatmir Rexhepi, të mërkurën, ka deklaruar se Kosovës i duhet një qeveri tjetër nga kjo e Hashim Thaçi.
Sipas tij, nëse duhet të debatohet për Qeverinë, kjo duhet të bëhet në Parlamentin e Kosovës, duke theksuar se vendit i duhet një Qeveri tjetër, pasi sipas tij, Qeveria aktuale nuk mund të vazhdojë, sepse nuk është në interes të vendit.
“Kosovës i duhet një qeveri e koalicionit të gjerë drejt perspektivës, ku sundon ligji e ku luftohet korrupsioni e krimi”, tha Rexhepi, për të shtuar se performanca e Qeverisë së tanishme nuk është e mirë dhe nëse vazhdon kësisoj do të përfundojë sikurse kjo telenovelë e luajtur nga KQZ.
Ai edhe njëherë i ftoi institucionet e vendit të respektojnë detyrimet ligjore që i kanë dhe të respektohet vendimi i autoritet të pavarur në këtë rast KZAP dhe të shkohet drejt mbajtjes së zgjedhjeve më 31 janar edhe në Gjilan.
Ai ka fajësuar KQZ’në për situatën e krijuar, duke thënë se nuk ka respektuar vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ripërsëritjen e votimeve edhe për Gjilan, krahas Prizrenit e Lipjanit.
Sipas tij, procesi i rinumërimit ka qenë “telenovelë” e panevojshme, sepse sipas tij më 13 dhjetor ka pas vjedhje të votave në Gjilan, që është vërtetuar edhe nga organi kompetent.