Së shpejti nis debati për liberalizim

Procesi i bisedimeve në Bashkimin Europian për mënyrën e përfshirjes së Kosovës në procesin e liberalizmit të vizave pritet që të filloj së shpejti, ka thënë Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ndërsa ka vlerësuar se një kriter që është shumë me rëndësi dhe që është i vështirë për t’u realizuar është çështja e riatdhesimit të personave që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë një ligjërate të mërkurën në Universitetin e Biznesit të Kosovës (UBT), Ministri Pajaziti ka ripërsëritur se 2010 është vit përfundimtar i përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave, duke shtuar se në fund të këtij muaji ose muajin e ardhshëm pritet të nisë procesi i bisedimeve në BE.
“Vitin që shkoi kemi pasur debat në Parlamentin Europian, kemi pasur edhe rekomandime që kanë qenë pozitive për përfshirjen tonë në procesin e liberalizmit të vizave dhe në fund të vitit, diku në dhjetor Këshilli i Ministrave të BE’së ka miratuar rekomandimet e Parlamentit Europian dhe këto rekomandime do të fillojnë të zbatohen këtë vit. Pra, ne presim që së shpejti, ndoshta qysh në fund të këtij muaji ose muajin tjetër të fillojë procesi i bisedimeve me BE’në për mënyrën e përfshirjes sonë në procesin e liberalizmit të vizave”, ka thënë Pajaziti.
Në këtë kuadër, ai ka vlerësuar se çështja e riatdhesimit ose ripranimit të personave që jetojnë jashtë vendit është një kriter i rëndësishëm, por njëkohësisht i vështirë për t’u realizuar.