Fatmir Vata në udhëkryqin Koblenc-Padeborn

- Fatmir Vata, futbollisti shqiptar ende në forcë me Arminian e Bielefeldit (Bundesliga 1) ndodhet para një "udhëkryqi" me dy destinacione një kategori më poshtë: Tus Koblenc, ku drejton Uve Rapolder, trajneri që e mori 35-vjecarin nga Manheimi te Arminia dhe Padeborni, ku luan edhe një tjetër ish-lojtar i Kombëtares shqiptare, Mehmet Dragusha.
Edhe pse shqiptari nënshkroi në fillim të këtij viti një kontratë përtëritëse deri në vitin 2008, e vetmja gjë që do marrë Fatmir Vata nga ekipi i tij, Arminia Bielefeld, është leja e kalimit. Drejtori sportiv i klubit, Reinhard Saftig ka theksuar më parë se nuk do t'i nxjerrë asnjë pengesë Fatmirit në rast se ai dëshiron të ndryshojë klub, edhe pse është bashkuar me ekipin e Bielefeldit në vitin 2001 ."Unë jam viktimë e ndërrimit të trajnerëve ishte shprehur në median gjermane Famir Vata, duke lënë të kuptohej se kishte mbetur shumë i kënaqur me Tomas Van Heesen, dhe jo me pasardhësin e tij, holandezin Ernst Middendorp.
Vata arriti të shënojë vetëm një gol në nëntë ndeshjet e zhvilluara gjatë sezonit që u mbyll në Gjermani duke u futur edhe në 11-shin ideal të Bundesligës për javën e 33-të, në fitoren 3-1 të Arminias kundër Hanoverit të Altin Lalës.
Ish-lojtari i Kombëtares shqiptare e nisi karrierën ndërkombëtare e ka nisur në Kroaci me NK Rijeka, për të vazhduar me NK Samobar, Slaven Belupo dhe FC Vukovar. Në Gjermani ekipi i parë i lojtarit shtatshkurtër (170 cm) ishte Valdhof Mannheim.
Ndërkohë që Fatmir Vata largohet, një tjetër lojtar shqiptar, Mërgim Mavraj që luan për Darmsdadt pritet të bashkohet me Arminian e Bielefeldit. Mërgim Mavraj, një nga kandidatët për Kombëtaren kuqezi, madje u pajis edhe me pasaportë shqiptare, luan për Kombëtaren U-21 të Gjermanisë.