E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza ndaj Xhakës: Nuk e bëri vetë golin e tretë

Komentatori i televizionit zviceran SF, Sascha Ruefer, ka shkaktuar një skandal të vërtetë, pasi gjatë komentimit të ndeshjes Zvicër - Shqipëri, ka fajësuar mesfushorin kosovar Granit Xhaka se nuk ka dashur t'i shënojë gol Shqipërisë. Xhaka, në minutën e 84-t të ndeshjes, kur rezultati ishte 2-0 në favor të Zvicrës, ishte i vetëm përballë portierit Samir Ujkani, por ai u ngatërrua me topin dhe nuk arriti as të godiste e jo më të shënonte. "Pse po ndalet Xhaka, çfarë ishte kjo? Ai duhet vetëm të shtyjë atë top në portë. Xhaka nuk është dëshpëruar që nuk i ka shënuar gol Shqipërisë", kishte thënë gjatë komentimit Reufer. Ky koment është përcjellë me kritika të shumta në Zvicër. Madje ish-lojtari i Zvicrës, Hakan Yakin ka thënë se komentuesi zviceran e ka tepruar me këtë vlerësim dhe nuk duhet lënë më të komentojë ndeshjet. "Ky është një skandal absolut. Reufer me këtë deklaratë ka fajësuar Xhakën se nuk ka dashur t'i shënojë gol Shqipërisë. Për mua ai është i papërmbajtur për komentues. Unë si e njoh Reuferin nuk do të befasohesha nëse ai ka shkuar më vonë në hotelin e përfaqësueses dhe është arsyetuar te Xhaka", ka thënë Yakin, përcjell "Basler Zeitung" të mërkurën.
Komentatori
Komentatori zviceran Reufer është justifikuar duke thënë se te rezultati 0:0 nuk do të thoshte një gjë të tillë. "Nëse rezultati do të ishte 0:0, atëherë nuk do t'i thosha ato fjalë. Atëherë vërtet do të ishte provokim po të thosha një gjë të tillë. Por, te rezultati 2-0 nuk kishte më çfarë të ndodhte", ka shtuar Reufer. Vetë Xhaka e ka argumentuar rastin e humbur me një gabim me kontrollin e topit. "Unë nuk arrita të pranoj topin si duhet. Për mua nuk ka qenë me rëndësi nëse shënoj apo jo. Me rëndësi ka qenë vetëm që skuadra të fitojë. Nuk ishte ndeshje e lehtë për mua. Për herë të parë në karrierën time më kanë fishkëllyer", ka shtuar Xhaka, për gazetën zvicerane "Blick". "Në fund të fundit kjo ishte një ndeshje futbolli e jo një luftë. Ne e kemi ditur se tifozët do të jenë shumë agresivë dhe nuk do të gëzohen që pesë shqiptarë luajnë për Zvicrën. Por, disa tifozë shqiptarë edhe na kanë duartrokitur. Unë e di se shumë shqiptarë janë krenarë për ne", shtoi ai.
Hitcfeld
"Lojtarët me prejardhje shqiptare kanë qenë psikologjikisht të lodhur. Sa për Xhakën ai ka vrapuar shumë dhe për këtë ishte i lodhur te rasti që pati. Por, është e qartë se duhet të kishte shënuar në atë rast", ka thënë trajneri i Zvicrës, Otmar Hitcfeld. Në ndeshjen kundër Shqipërisë, trajneri gjerman aktivizoi pesë futbollistët shqiptarë që kishte ftuar. Xhaka, Shaqiri e Valon Behrami ishin titullarë, ndërsa Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi u aktivizuan në pjesën e dytë. Shaqiri shënoi golin e parë për Zvicrën, ndërsa nisi edhe aksionin kur u shkaktua penalltia nga e cila "helvetikët" shënuan golin e dytë me anë të Gokhan Inlerit. Ai ishte padyshim më i miri në fushë për të dyja skuadrat, ndërkohë që Zvicra mori një fitore të madhe në rrugën e saj drejt Botërorit 2014. Një moment interesant i ndeshjes ishte edhe zëvendësimi i Valon Behramit, kur mesfushori përfundoi në qendër të fishkëllimave të tifozerisë. 

Xhaka, shtypi kërkon hetime, videoja bën xhiron e botës
Videoja e rastit të Granit Xhakës vetëm për vetëm me Ujkanin ka bërë ditën e djeshme xhiron e botës. Mesfushori shqiptar nuk shënoi i vetëm me portierin kuqezi dhe për disa media zviceriane duhet të nisin hetime. "Imagjinoni si mund të jetë ndjerë dikush që e ka vënë ndeshjen lart me gola në baste", shkruante një gazetë. "Imagjinoni si mund të jetë ndjerë Hitcfeld", komenton Mediaset, që i ka bërë një shkrim të posaçëm lojtarit kosovar të Zvicrës. "Unë ndjehem shqiptar", tha Xhaka pas ndeshjes.
(e.m/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›