E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmire Bajramaj: Dua të luaj si Zinedin Zidan

E para myslimane në radhët e skuadrës përfaqësuese të Gjermanisë për femra. E zgjedhur si lojtarja më simpatike dhe më seksi ndër të gjitha të tjerat në DFB-elf (njëmbëdhjetëshi i federatës), njëkohësisht një histori e suksesshme emigranteje

TIRANË - E para myslimane në radhët e skuadrës përfaqësuese të Gjermanisë për femra. E zgjedhur si lojtarja më simpatike dhe më seksi ndër të gjitha të tjerat në “DFB-elf” (njëmbëdhjetëshi i federatës), njëkohësisht një histori e suksesshme emigranteje. Me pak fjalë kështu mund të përmblidhet jeta dhe karriera në Gjermani e Fatmire Bajramajt, shqiptares nga Kosova që shënoi dy gola në Kinë për t’i dhënë medaljen e bronzit skuadrës së Silvia Najdit.

“Kur luaj dua që të kem stilin e Zinedin Zidanit, - thotë Bajramaj, në një bisedë për televizionin gjerman, ZDF, - ndërsa kur shikoj në televizor veprimet teknike të Ronaldinjos, përpiqem t’i mbaj mend dhe t’i bëj dhe vetë”. Gazetari gjerman Sebastian Breuer, thotë se trajnerja Rajd e mban Bajramajn si lojtaren që i ngre moralin gjithë skuadrës, ndërsa kujton se kur luan kundër djemve i bën ata nervozë dhe ziliqarë për teknikën që ka.

“Gjuaje si Bajramaj” është titulli në anglisht i reportazhit të Breuerit për Fatmiren, që ndiqet nga nëntitulli “rruga e gjatë deri tek kampione e botës”. Gazetari gjerman është frymëzuar nga ai titull për shkak të filmit hollivudian me titull “Gjuaje si Bekami” (Kick it like Beckham), thjesht ka ndryshuar emrin e Bekamit me atë të Bajramajt. Dhe jo pa arsye.

Historia nis në Kosovë ...

Kur “Lira” (siç e thërrasin sot gjermanët, por ky është emri përkëdhelës që ajo ka pasur në familje) ishte 4 vjeç, familja e saj u largua nga Kosova për në Gjermani sepse jeta aty u bë shumë e rrezikshme. Babai i saj, Ismeti, e vlerësonte vajzën e tij, por nuk donte që ajo të luante futboll. Fatmirja nuk i tregonte se ishte regjistruar në një klub futbolli, por i thoshte se dilte me shokë e shoqe.

Një ditë Ismeti e pikasi vajzën e tij duke luajtur futboll dhe, ndonëse tip shumë impulsiv, u mrekullua nga mënyra sesi ajo luante. “Unë e shikoja tek luante dhe, a e dini se luante shumë mirë”, - shprehet Ismeti. “Lira” sqaron se “unë i binda prindërit e mi me ambicien time”. Tani le të kthehemi pak tek titulli “Gjuaje si Bajramaj” (Kick it like Bajramaj) dhe ngjashmëria me titullin e filmit për Bekamin. Edhe ai film i Hollivudit bënte fjalë për një djalë që luante futboll fshehurazi nga prindërit që nuk donin ...

Kjo është krejt një histori e një vajze të një familjeje tipike tradicionale shqiptare ku prindërit kanë një rol të madh në përcaktimin e së ardhmes së saj, por e gjitha është zhvilluar në shoqërinë gjermane.

Ëndrra e saj është kampionati botëror që do të zhvillohet në Gjermani më 2011, kur ajo do të jetë 23 vjeç. Pasi doli kampione e botës në Kinë më 2007 dhe fitoi medaljen e bronzit olimpike po në tokën kineze pak ditë më parë, Bajramaj sheh një ëndërr me sy hapur. “Në finalen e kampionatit botëror, Fatmire Bajramaj shënon 1-0 për Gjermaninë”, përmblidhet me fare pak fjalë.

Një vilë në Amerikë

Ndër dëshirat e saj janë edhe një vilë në Los Anxhelos të SHBA-ve, ku të mund të bëjë festa me sa më shumë miq. Madje, një dëshirë tjetër është të ketë edhe një palë këpucë sportive, ndonëse nja 50 palë i ka në shtëpi. Në fund, rëndësi ka fakti që në familjen Bajramaj ka harmoni. Baba Ismeti thotë: “Jam i lumtur që e kam lejuar vajzën time të luajë futboll, është mirë të biesh dakord me pasionin dhe talentin e fëmijës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›