E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Kongoli: Agjentja "Sh..."? Më mirë të mos e mësoja të vërtetën

TIRANE-Vetëm pak kohë më parë e ka mësuar të vërtetën. Publikimi në "Gazetën Shqiptare" nuk e ka habitur, vetëm sa e ka lehtësuar Fatos Kongolin. Duket nuk e ka pritur se ky fakt do të deklarohej publikisht dhe zyrtarisht nga drejtori i Arkivit të Brendshëm, Kastriot Dervishi.
Një ditë pas intervistës së z.Dervishi, shkrimtari tregon se të vërtetën, e cila e ka tronditur shumë, e ka mësuar në mirëbesim nga një mik i tij i hershëm, dalë në pension, i cili e njihte mirë çështjen, sikurse edhe agjenten "Sh...". Ia kishte rrëfyer në kulmin e debateve, tek komentohej ndjesa e tij publike, mes atyre që e mbështesnin dhe atyre që treguan zell ta keqpërdorin në media.
Shkrimtari kishte vendosur ta "varroste" këtë çështje bashkë me zellin e atyre, që siç thotë ai, nxituan ta denigronin rrëfimit e tij. Megjithatë në këtë kontekst të ri, ai pranon të japë disa përgjigje për publikun e gjerë. Intervista e mëposhtme është kryer në e-mail, pasi shkrimtari ndodhet në Amerikë, prej disa javësh.
Z. Kongoli, drejtori i Arkivit të ministrisë së Brendshme Kastriot Dervishi solli dëshmi befasuese në intervistën e tij një ditë më parë. Ai thotë se nuk jeni ju ai që i shkaktoi burgun Hysenil Dumes. Kjo pas ndjesës tuaj publike... Si ndiheni pas këtij publikimi?
Tani ndodhem larg Shqipërisë dhe të them të drejtën nuk kam asnjë dëshirë t`i rikthehem kësaj teme. Mirëpo meqë zoti Dervishi, në një intervistë dhënë gazetës tuaj e merr rastin tim si shembull, më përmend edhe emrin, e shoh me vend të them dy fjalë.
Nuk ndiej ndonjë gjë të veçantë. Z.Dervishi pohon një të vërtetë, atë që unë e kam thënë në librin tim "Iluzione në sirtar", pra nuk kam qenë unë shkaktari i burgosjes së të ndjerit Hysenil Dume. Thënë më troç, sidomos për ata që treguan zell të më denigronin pas rrëfimit tim (pa sukses, qe vetëm një tymnajë për manipulimin e opinionit), nuk kam qenë unë bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit, që e ka çuar Hysenil Dumen në burg, siç u orvatën të krijonin përshtypjen (gjithashtu pa sukses). Në librin tim unë s`kam dashur as të zbuloj kush ka qenë, as ta mbuloj. Në traumën time të atëhershme, unë nuk merrja vesh ç`po bëhej, me të tjerët dhe me mua.
Për ata që nuk e njohin këtë histori, kush ishte Hysenil Dume? Dhe shkurtimisht pse ndiheshit fajtor ndaj tij?
Hysenil Dume ka qenë një ish-koleg imi në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", burgosur në vitin 1981, në gjyqin kundër të cilit më detyruan të dilja dëshmitar. Tërë historinë e kam rrëfyer në njërin nga kapitujt e librit "Iluzione në sirtar", botuar vitin e kaluar. Përgjithësisht libri u prit mirë, edhe nga ish-kolegë e kolege të asaj kohe, e kam fjalën për ata që e lexuan. E them këtë sepse mendimet më negative e më fyese për librin në fjalë janë dhënë nga njerëz që nuk e kanë lexuar fare, që në përgjithësi nuk kanë lexuar dhe nuk i lexojnë librat e mi. Sigurisht, secili zgjedh çfarë të dojë për të lexuar, por që të shfaqësh mendim për një libër pa e lexuar, të lë shije shumë të keqe, është shprehje e hapur e keqdashjes.
Më ka ardhur shumë keq atëherë, më vjen keq edhe sot, për çka i ndodhi Hysenil Dumes. Njëherazi,në libër kam shënuar se, sidoqoftë, nuk më ka vrarë dhe nuk më vret dhe aq ndërgjegjja për çka i ndodhi atij, bash për arsyen që e pohon edhe z.Dervishi, që atë nuk e kisha futur unë në burg. Për arsye që i kam shpjeguar në libër jam ndjerë fajtor para fëmijëve të tij, atëherë adoleshentë, të cilëve u kam kërkuar falje publike.
Pavarësisht kësaj të vërtete, fakti që dola dëshmitar, që më ngatërruan me përdhunë në atë histori, u kthye për mua në një traumë të rëndë, të pashlyeshme. Qyshse kësaj ngjarjeje të hidhur vendosa t`i kushtoja një kapitull të librit, isha i vetëdijshëm për çka po bëja, ishte një borxh ndaj vetes, një detyrim ndaj lexuesve të mi. Nuk prisja të më jepej ndonjë dekoratë, siç thonë disa, nuk prisja, gjithashtu, të sulmohesha e të denigrohesha aq keq. E kam të pamundur të mos mendoj se shumë njerëz nuk e panë me sy të mirë rrëfimin tim ndoshta pikërisht sepse mund të jenë mirëfilli mëkatarë dhe kanë frikë të përballen me vetveten. Por ky nuk është problem imi.
Dervishi përmend aty agjenten "Sh...". A keni dyshuar ndonjëherë në jetën tuaj se një grua ju survejonte? Si ndiheni tani për këtë personazh?
Këtë ngjarje unë e kam pasqyruar hollësisht te romani "Kufoma"(1994). Lexuesit e librave të mi, ky episod i librit "Iluzione në sirtar" nuk i ka befasuar, as habitur, siç ka befasuar dhe habitur ata që nuk kanë lexuar asnjërin nga këto libra, apo libra të tjerë të mi. Personazhi kryesor i romanit "Kufoma", i quajtur Festim Gurabardhi, i ka përjetuar ato ngjarje intensivisht, në këtë vështrim rrëfimi im i tanishëm është bërë në formë romaneske mëse gjashtëmbëdhjetë vjet më parë.
Ashtu si ky personazh, apo ndonjë tjetër i librave të mi, në atë epokë të errët, kur çdo ditë dëgjoje për burgosje dhe internime, edhe unë vuaja nga e ashtuquajtura "mani e persekutimit". Megjithatë, nuk mund të them se ndihesha konkretisht i survejuar nga dikush, aq më pak nga ndonjë grua.
Lidhur me agjenten "Sh…", që zë në gojë zoti Dervishi, tani unë po dëgjoj për herë të parë të flitet për të, si të thuash, haptazi dhe zyrtarisht. E vërteta është se, siç e them edhe në libër, as atëherë, as më vonë, nuk kam pasur kureshtje të mësoj se kush i çoi në burg tre ish-kolegë të mi në vitin 1981. Pas botimit të librit vitin e kaluar, kur u spekulua jo pak, duke shtrembëruar thënie të miat të shkëputura nga konteksti, një mik i vjetër imi, i cili sapo e kishte lexuar atë, më mori në telefon, më tha fjalët më të mira dhe më kërkoi të takoheshim. Ky mik, dalë në pension prej vitesh, me njohuri rreth fushës, më tregoi të vërtetën, pra kush ua kishte bërë gjëmën atyre fatkeqëve në shtëpinë botuese. Unë zura kokën me duar. Nuk desha ta besoja, nuk më besohet as sot, do të kisha dashur të mos e mësoja kurrë të vërtetën.
Ju i njihni hetuesit dhe i keni përshkruar mrekullisht në librin tuaj. A ndryshon diçka në raport me ta pas këtij fakti të ri?
Nuk kam asnjë dëshirë të flasë për ata dy individë famëkeq. Vuajtjet dhe brengat e mia i kam dhënë në libër. Megjithatë s`mund të rri pa përsëritur një fakt të vënë në dukje shpesh, por edhe një konstatim vetjak. Deri më sot unë nuk di që ndonjë nga ish-persekutorët e djeshëm, i çdo rangu, që nga operativët ordinerë, hetuesit, deri në rangje të tjera, madje të larta, si ish-gjyqtarë apo prokurorë, që kanë dhënë dënime ekstreme, deri me pushkatim ose varje, të ketë kërkuar ndjesë publike për "bëmat" e tij, duke u fshehur pas justifikimit se kështu ishin ligjet. Duhet thënë se kjo taktikë ka funksionuar për mrekulli, vazhdon të funksionojë. Kjo, bashkë me inercinë për të mos hapur dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit për nivele të caktuara, janë sipas meje mëkati dhe turpi i shoqërisë së sotme shqiptare, e cila kështu nuk pranon të çlirohet nga demonët e së kaluarës.
A mendoni se shkrimtarët dhe artistët janë të qartë sot për çka flitet rreth dosjeve dhe spiunimeve?
E kam të pamundur të jap një mendim, s`di gjë.
Nëse do ta jetonit sërish atë epokë, çfarë zgjedhjesh do të bënit?
Kjo pyetje më bën pak për të qeshur. A nuk e keni vënë re se sa trima shiten sot të gjithë?

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›