E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ndjesa e gabuar e Kongolit, si i fshehu gjurmët agjentja që e njollosi”

TIRANE-Rasti i Kongolit, me një ndjesë gjithë përulje, një gjest i pashembullt për inteligjencën shqiptare, ngriti në këmbë gjithë publikun tonë. Pas botimit të librit të tij "Iluzione në sirtar" ai pohoi me pendesë "jam përlyer në dënimin e kolegut tim në '81". Ai kështu besonte. Dhe mbase sot e kësaj dite nuk e di të vërtetën. Ajo qëndron ndryshe, sipas drejtorit të Arkivit të ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi.
Duket se artistët dhe shkrimtarët shpesh janë keqkuptuar, janë ngatërruar më shumë nga ç'pandehnin, shpesh janë përdorur si mbulojë, pa thënë asgjë dëmtuese për kolegët. Provat e fajit mblidheshin në terren nga agjentët, të cilët mbaheshin tmerrësisht të fshehtë. Dëshminë e rastit të Kongolit, dervishi na e rrëfen në këtë intervistë plot dëshmi e sqarime, që na e zbulon pak mbështjellën misterioze të botës së spiunimeve mes artistëve e njerëzve të letrave në kohën e diktaturës.
Më 1980-1982 njerëzit e artit dhe kulturës ishin vënë nën sitën e hollë të regjimit. Sigurimi i shtetit vetëm në '82-shin, kishte 260 persona të dyshuar nga fusha e artit dhe e kulturës dhe plot 151 bashkëpunëtorë që raportonin çdo lëvizje të dyshimtë.
Pse ishte e këtillë, kaq e ashpër dhe pa tolerim lufta e kësaj shtrese të inteligjencës së kryeqytetit? Pse artistët viheshin kundër njëri-tjetrit, deri në raste ekstreme spiunimesh?
Drejtori Kastriot Dervishi na jep disa arsye "Disa nisur nga karriera, disa nisur nga materiali shtrëngues që u paraqitej, nga intrigat, nga paaftësia profesionale, nga karakteri i deformuar njerëzor, instinktit të ekzistencës e mbijetesës, etj..."
Pra, një botë dhe kohë e vështirë për të mbijetuar. Nga ajo kohë sot dalin dokumente me pseudonime gjithfarësh "Morava", "Fortuna", "Nabari", "Fontana", "Arbri", "Besa", "Romeo", "Shpendi", "Bufe e madhe", "Deti", "Stilografi", "Materia", "Lahuta", "Moisiu", "Tavolina e punës", "Tomori", "Bistrica, "Motori", "Fani", "Lapsi", "Bredhi", "Danubi", "Kacabroku", "Avioni", "Aktori", "Zbuluesi", "Adriatiku", "Butrinti", "Piktori", "Pojani", "Studiuesi", "Elektroni", "Flutura"...
Z. Dervishi, si drejtuesi i një prej arkivave më të rëndësishëm në vend, prej disa vitesh, si i vlerësoni faktet dhe dëshmitë e publikuara herë pas herë në shtyp, mbi marrëdhëniet delikate të intelektualëve me regjimin komunist?
Pa shumë emocion, vetëm me kuriozitet. Mllefe dhe energji shpenzohen shumë, ndërsa fakte dalin pak ose aspak. Mungon një analizë e qetë dhe objektive. Pastaj varet se çfarë kuptojmë me "fakte" apo "dëshmi" dhe sa janë të tilla këto.
-Ngjan vetëm në dukje apo është vërtet më e ashpra bota e artistëve dhe letrarëve, sa i takon deponimeve, prapaskenave, hetimeve e gjykimeve në radhët e tyre gjatë kohës së regjimit komunist...? Nëse po, pse ka ndodhur kjo, sipas jush?
Është më lart në nivel se të tjerat. Ndikon këtu formimi intelektual, dallimi esencial nga pjesa tjetër e shoqërisë. Për të dhënë një shpjegim që qartë, për këtë duhet të njohësh mirë mekanizmin veprues të diktaturës. Pastaj, konflikti i tyre ekspozohet më shumë nga shtresat e tjera të shoqërisë.
-Shumë fakte po publikohen për spiunimet që i bënin njëri-tjetrit artistët dhe letrarët? Pse i bënin? Për privilegje, për shkak të frikës...Ç'thonë dokumentet për këtë?
I bënin për të gjitha atë që thoni. Disa nisur nga karriera, disa nisur nga materiali shtrëngues që u paraqitej, nga intrigat, nga paaftësia profesionale, nga karakteri i deformuar njerëzor, instinktit të ekzistencës e mbijetesës etj. Por spiunimi duhet parë nga pozita që niset personi. D.m.th., si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, si bashkëpunëtor i Sigurimit, si anëtar partie, apo si letërshkrues anonim. Në shumë raste dashakeqësia, zilia dhe hakmarrja ka qenë motiv kryesor në nisjen e të bërit keq ndaj tjetrit.
Nëse marrim për shembull Sigurimin e Shtetit, duhet të themi se në kuadër të "ruajtjes së pastërtisë së inteligjencies dhe rinisë", u vunë në vrojtim, me lista apo dosje, gati e gjithë inteligjencia e Tiranës. Sigurimi operonte me hapje dosjesh në princip objekti dhe në princip drejtimi. Ky i fundit mund të ishte në drejtim të agjitacionit e propagandës, tendencës për arratisje, agjenturës së huaj etj. Veprimtaria krijuese mund të shihej edhe agjitacion e propagandë e kamufluar.
Në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, Tiranë kishte një seksion të veçantë i quajtur Seksioni i Instituteve dhe Shkollave të Larta. Në vitin 1973 Sigurimi hapi edhe dosjen e drejtimit "mbi mbrojtjen e inteligjencies, rinisë si dhe të institucioneve e objekteve kulturore arsimore dhe ato të shëndetësisë". Në relacionin përkatës përmendeshin intelektualët e vjetër që ishin përdorur në vitet e para paslufte sidomos për ngritjen e instituteve e shkollave të tjera të larta, por që mbartnin "rrezikun" për "prishjen" e inteligjencies me mendimet e tyre. Thelbi i hapjes së dosjes shihej zhvillimi i luftës së klasave sepse "armiqtë" mbështeteshin tek intelektualët. Pas mbylljes së kësaj dosje drejtimi në vitin 1982, çelja e dosjeve vazhdoi me princip drejtimi. Drejtime në princip objekti në Tiranë ishin: RTSH-ja, ATSH-ja, Kinostudio, Teatri i Operës dhe Baletit, Pallati i Kulturës dhe Kultura Masive, Teatri Popullor, Instituti i Lartë i Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shtëpitë botuese 7-8 nëntori dhe "Naim Frashëri", Galeria e Arteve Figurative, antena e RTSH-së në Dajt, Estrada e Shtetit, Cirku, etj.
Në atë kohë listoheshin nga Sigurimi 260 persona si të dyshuar nga fusha e artit dhe e kulturës. E gjithë jeta kulturore e artistike që bënte pjesë në institucionet e mësipërme, ishte në vrojtim ose përpunim aktiv. Në vitin 1980 vetëm për këtë sektor, në Tiranë vepronin 151 bashkëpunëtorë.
Deri në fillim të vitit 1991, disa nga pseudonimet më aktive në radhët e inteligjencies së Tiranës si bashkëpunëtorë kanë qenë: "Morava", "Fortuna", "Nabari", "Fontana", "Arbri", "Besa", "Romeo", "Shpendi", "Bufe e madhe", "Deti", "Stilografi", "Materia", "Lahuta", "Moisiu", "Tavolina e punës", "Tomori", "Bistrica, "Motori", "Fani", "Lapsi", "Bredhi", "Danubi", "Kacabroku", "Avioni", "Aktori", "Zbuluesi", "Adriatiku", "Butrinti", "Piktori", "Pojani", "Studiuesi", "Elektroni", "Flutura", "Kaltërsia", "Dajti", "Fatosi", "Vullneti", "Labëria", "Tradita shqiptare", "Vjosa", "Piktori", "Elektroni", "Deti", "Fani", "Shpendi", "Libri" etj.
-Nëse do të hapeshin dosjet, plotësisht, pa klasifikime, me ç'fytyrë do të na shfaqej inteligjenca shqiptare e asaj kohe?
Nuk dua për momentin të japë opinion përfundimtar për këtë çështje. Njoh emra të fushës së artit që sjellin befasi për çdo shqiptar nëse do njihet bashkëpunimi i tyre me Sigurimin.
-A ka keqkuptime nga publikimet e rastësishme të deritashme?
Sigurisht. Jo pak herë ngatërrohet personi i ndjekur me bashkëpunëtorin. Megjithatë vazhdimi i kësaj bisede është i nivelit profesional.
-Si kanë dalë nga arkivat disa prej dokumenteve që duket se përmbajnë material të klasifikuar?
Duhet të jemi konkretë që të flasim për këtë çështje. Nëse flasim për një vendim gjykate për shembull ai nuk është i klasifikuar. Jo pak herë abuzohet me aludime dhe sajesa. Jo pak herë kam lexuar pseudonime të sajuara të servirura nga firma njerëzisht që duket që nuk e njohin problematikën.
-A janë dëmtuar dosjet? A janë të vërteta hipotezat që shumë dosje janë zhdukur?
Në gjuhën e arkivave ekspertiza është ajo që vlerëson një dokument me rëndësi historike kombëtare (RHK). Jo çdo gjë që prodhohet ruhet. Jo vetëm dje, por edhe sot, kemi dokumente të përhershme dhe të përkohshme. Janë komisionet e ekspertizës ato që vendosin vlerën e ruajtjes së dokumenteve. Nëse flasim konkretisht për dosje përpunimi (përndjekje) të Sigurimit të Shtetit, ato janë trajtuar sipas rregulloreve të evidencës operative. Nëse një dosje përpunimi mbyllej (për arsye se personi, vdiq, u arrestua, u rekrutua, u çmend, etj), kjo dosje i nënshtrohej një maturimi prej 5 vjetësh. Pas kësaj kohe, komisioni i ekspertizës në vendin ku ajo ruhej, vendoste asgjësimin apo arkivimin e saj. Pra, asgjësimi i dokumenteve nuk është hipotezë, por veprim që ka ndodhur rregullisht nga viti 1948 e deri në vitin 1990. Të parregullta kanë qenë asgjësimet e nisura me urdhrat e ministrit të Punëve të Brendshme të datave 15 dhjetor 1990 dhe 18 shkurt 1991. Asgjësimi ka qenë një veprim jashtë arkivave, por në vendin ku ato administroheshin (degët e punëve të brendshme). Në rastet e tilla ne veprojmë me provat që i cilësojmë "të dyta", si p.sh., leximi i përshkrimi i procesverbalit të asgjësimit, etj.
-Cilat dokumente janë më delikatet, ato hetimore, gjyqësore, apo ato të sigurimit të shtetit?
Të dhënat mbi një person apo grup personash mund të jenë në dosje operative të Sigurimit (përpunim aktiv 2A, kontroll operativ 2B) si dhe në ato hetimore - gjyqësore. Sipas natyrës së të dhënave është edhe delikatesa e tyre. Natyrisht baza është ajo operative. Leximi i tyre nuk mund të bëhet nga kushdo. Kërkon patjetër "sy" profesionist. Nëse flasim për ekspertizë letrare ajo ndodhet vetëm në një dosje hetimore.
-A interesohen artistet dhe shkrimtarët për dosjet e tyre? Nëse po, pse i kërkojnë, për publikim apo për arsye të tjera?
Më shumë se "dosjet e tyre" duhet të themi "të dhëna rreth tyre". Ka pasur kërkesa të tilla. Unë besoj se interesi kryesor ka qenë marrja e dijenisë e më pak publikimi.
Duhet të hiqet mendësia se çdo person ka dosje dhe kjo është e gatshme për t'u parë. Asnjëherë ky vend nuk ka pasur kapacitete të bëjë dosje për çdo njeri. Brenda një viti Sigurimi nuk kishte më shumë se 15 mijë dosje të hapura në gjithë vendin, prej të cilave aktive rreth 4 - 5 mijë.
-A i cilësoni të frytshme debatet mbi të kaluarën e intelektualëve, artistëve dhe shkrimtarëve dhe raportet e tyre me regjimin?
Natyrisht, por nuk besoj se del shumë thelbi i së vërtetës. Debati nuk hyn dot në nivel profesional, fillohet me Sigurimin, dilet të Lidhja e Shkrimtarëve, pastaj përmendet Komiteti Qendror, ndonjë komitet rrethi, Bashkimet Profesionale etj. Personat në debate ose nuk zotërojnë informacion ose duan të duken sikur kanë informacion. Më shumë i udhëheq mllefi i çastit sesa argumenti. Në raste të tjera i udhëheq brenga e të kaluarës.
Kam parasysh këtu për shembull debatin e fundit në lidhje me rastin e shkrimtarit Fatos Kongoli dhe ndjesën publike që ai bëri për një kolegun e tij të zyrës Hysenil Dume. Natyrisht z.Kongoli është nisur nga dëshira e mirë, duke e menduar dhe gjykuar veten "mëkatar" në një kohë të shkuar. Por ai pa dashje, në vend që të zbardhte të vërtetën, e mbuloi më shumë atë. Nuk ishte Fatosi që i shkaktoi burgun Hysenilit, as denoncuesit e tjerë që u përdorën në këtë rast, por ishte agjentja "Sh...". Më 1978, "Sh..." ishte paraqitur vetë në drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë për të denoncuar shoqen e saj Asamble Hatibi. Pas këtij denoncimi, "Sh..." rimerret në lidhje si agjente. Nga të dhënat e paraqitura prej saj çelen dy dosje agjenturiale (quhen dosjen e përpunimit ku ndiqen më shumë se një person), "Shtriga" (për Asamblenë, etj) dhe "Krokodili" (për Hysenil Dume me shokë). Pasi "Sh..." futet thellë në përpunimin e "grupeve", arrihet goditja e tyre. Për të mos u zgjatur shumë, "Sh...", incizon bisedat edhe për Hysenil Dumen. Mirëpo në teknikën e këtyre punëve, personi i Sigurimit nuk duhet të dalë dëshmitar në gjyq sepse kjo sillte djegien e tij si agjent. Për këtë arsye mbi bazën e të dhënave që kishte sjellë "Sh...", u gjetën personat me të cilët kishte biseduar Hysenili. Njëri ndër këta ishte edhe Fatos Kongoli, ndaj të cilit u bë presion etj. Dënimin e Hysenilit nuk e përcaktoi dhe as e vendosi Fatosi. Këtë rast, ai ishte pa dëshirën e tij, një instrument procedural, hetimor - gjyqësor, por jo agjenturial - operativ. Me "rrëfimin" e Fatosit, nuk doli e vërteta e kësaj çështjeje, por u mbulua akoma më shumë ajo. Arrestimi i Hysenilit u vendos në çastin kur ai "shfaqi tendencë terrori" ndaj Enver Hoxhës. Kjo "tendencë terrori" nuk ishte gjë tjetër veçse një shprehje tavoline se "ky Enveri duhet vrarë". Incizimin e kësaj shprehjeje e kishte bërë agjentja "Sh..". E solla këtë rast si shembull tipik. Që të jemi më të qartë, duhet të themi se dëshmitari në procesin gjyqësor të komunizëm duhet kuptuar në tri kategori si:
1-Denoncues. I tillë ishte ai që paraqitej vetë në organet e diktaturës. Me shkrim kallëzonte "krimin" që kishte dëgjuar apo parë. Ky raportim regjistrohej dhe dëshmia e denoncuesit përdorej në hetim e më pas në gjyq, sipas thirrjes së hetuesisë apo gjykatës. Në raste të tjera denoncuesi edhe mund të rekrutohej.
2-I thirrur. I tillë ishte personi që mund të thirrej nga hetuesia, prokuroria apo gjykuara pasi emri i tij dilte i implikuar gjatë procesit. Ky lloj dëshmitari ishte në morsetën e fakteve të cilat kishin dalë. Përgjithësisht këta lloj dëshmitarësh nuk ishin rëndues.
3-I përpunuar nga hetuesia. I tillë ishte personi që përdorej nga hetuesia për dëshmi të rremë apo për të dëshmuar të dhëna që kishin dalë në rrugë agjenturore - operative. Kjo teknikë përdorej në këtë formë për të mos djegur bashkëpunëtorët e Sigurimit si dëshmitarë. Këta lloj dëshmitarësh duheshin sepse bashkëpunëtorët ishin denoncues të heshtur.

(d.b/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Fatos Kongoli: Agjentja "Sh..."? Më mirë të mos e mësoja të vërtetën

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›