E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Kongoli, ambasador i letrave shqipe në botë

Autori i Lajmit: red.
Personalitete të artit dhe politikës vlerësuan të mërkurën figurën e Fatos Kongolit, gjatë një takimi me shkrimtarin e njohur, që u organizua nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të vitit Europian të Dialogut Ndërkulturor. Kongoli është padyshim ambasadori i letrave shqipe nëpër botë dhe anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për krijimtarinë e tij të vyer letrare”, cilësoi Kryeparlamentarja Topalli në takimin e zhvilluar në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ku ishin të pranishëm dhe ambasadori i SHBA-së, John Ëithers dhe ambasadorja franceze, Maryse Daviet.
Romanet e Kongolit janë pritur mjaft mirë, si nga lexuesit vendas ashtu dhe të huaj. Ndër romanet më të njohura te tij janë Ne të tre , 1985, Karuseli , 1990, I Humburi 1992, Dragoi i Fildishtë , 1999, Ëndrra e Demokleut 2001, Lëkura e qenit 2003 etj, të përkthyera në disa gjuhë si frëngjisht, anglisht, italisht etj. Kongoli është fitues i çmimit ndërkombëtar Ballkanika në 2002 në Sofje , Çmimi Penda e Artë Shqipëri 2004, ndërsa shoqata e botuesve e ka vlerësuar me çmimin Shkrimtari i vitit në 2006-ën. Ai është nderuar dhe me çmimin Velia në 2002 dhe Çelësi në 2008. “Fakti që vepra e tij u bë mjaft e dashur për lexuesin e të gjitha niveleve flet për suksesin e padiskutueshëm të tij si shkrimtar dhe personalitet i letrave”, tha znj. Topalli, duke vlerësuar se me prozën e tij moderne Kongoli kapërceu kufinjtë shqiptarë për të hyrë në universin letrar botëror. Kjo jehonë, vijoi ajo, ka arritur në shtypin e huaj dhe revistat me prestigjioze si Le Monde , Le Figaro , La Stampa , The Guardian , Le Soir etj. “Këto janë vlerësime të merituara që bëjnë krenar çdo shqiptar”, përfundoi znj. Topalli. Për Edmond Tupe, përkthyes në frëngjisht i veprave të Kongolit, “romanet e tij janë një udhëtim sigurisht jo në Kongo, por në universin Kongoland, një univers bipolar ku jetojnë së bashku e shkuara dhe e tashmja. Pra njeriu në romanet e tij vjen ashtu siç ështe dhe si duhet të jetë”. Ndërsa amdasadori i SHBA-së, John Ëithers, duke e cilësuar si gjeni të Shqipërisë shkrimtarin Kongoli tha se "veprat e tij na kujtojnë se mund të ndodhesh mes njerëzve që përpiqen për të jetuar, që mezi marrin frymë. Ky është një mesazh që i kalon kohërat dhe që nuk harrohet , tha z. Ëithers. Nëpërmjet Fatosit, do të shprehej Ambasadorja franceze në Tiranë Maryse Deviet ne njohim Shqipërinë dhe shqiptarët. “Atë mund ta krahasoj me shkrimtarë të nivelit si Dostojevski e Kamy, prandaj edhe meriton të gjithë vëmendjen si njeri i letrave dhe si erudite”, tha ajo. Personalitete të tjera të artit dhe të kulturës që morën fjalën në këtë takim vlerësuan figurën e shkrimtarit. Pirro Misha tha se “është e vështirë të flasësh për këtë fenomen të letrave shqipe. Romanet e tij janë të pamëshirshme dhe kulmin e arrijnë kur çlirohen nga vargojtë e shtrëngesave politike. Ai është padyshim pararoja jonë në integrimin europian”. Për Kongolin foli dhe botuesi i pjesës më të madhe të veprave te tij, Fatmir Toçi. “Kongoli i ka pasur shpërthimet e tij pas viteve 90, pasi nuk mund të shkruante lirshëm në kushtet e një censure të rëndë. Madje edhe me vëllimet e para viteve 90 ishte më i lexuar në Kosovë sesa në Shqipëri”, tha Toçi duke e cilësuar Kongolin si një nga shkrimtarët që ka ditur të pasqyrojë më së miri njeriun në kohën e diktaturës, të shtypjes psikologjike të një kombi për 50 vjet me radhë . Veprat e tij jane cilësuar nga kritika dhe nga ai vetë si burgjet e kujtesës . Vetë shkrimtari falënderoi znj Topalli për nismën dhe të gjithë të pranishmit për vlerësimet e tyre duke u shprehur se “letërsia është hapësira e lirisë dhe arratisë time .
Ky lajm është publikuar: 11/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›