Fatos Lubonja: Do ketë trazira sociale
Analisti Fatos Lubonja është i shqetësuar për faktin se shoqëria shqiptare nuk reagoi për prerjen e pemëve tek Parku Kombëtar. Në një intervistë të gjatë për Shekullin, ai thotë se vendi do përballet me trazira.
Ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë nuk vjen nga ndryshimi i njerëzve, por nga ndryshimi i sistemit. Sali Berisha mori pushtetin sepse premtoi se do të ndërronte sistemin e baronëve të drogës. Pikëpyetja e madhe ishte: ky do ta kalërojë sistemin apo do ta ndërrojë? Prova ishte që e kalëroi dhe e çoi në degradim duke u bërë kërcënim dhe për lirinë.
Shoqëria shqiptare sot ka dy probleme të mëdha. Së pari në drejtimin social- ekonomik. Shoqëria po vuan prej këtij sistemi të kapur nga interesat e oligarkisë. Në qoftë se rrogat e një arsimtari, e një mjeku janë të tilla që ata nuk mund të kenë një minimum për të mbijetuar, këtu mund të bëhen rrezik social. Imagjinoni një sistem ku rreziku social është mjeku, arsimtari.
Problemi i dytë është i demokracisë. Kur përfitimin dhe interesat do ti ruash me çdo kusht, bëhesh politikisht i rrezikshëm edhe për lirinë. Vjen një moment kur nuk e lëshon më as pushtetin dhe do të eliminosh opozitën. Ky është një sistem që ka filluar të ndërtohet mirë në kohën e Nanos e të socialistëve në pushtet, që u kalërua më pas nga Berisha. Prirja e këtij sistemi është putinizmi. Me putinizëm kuptoj lënien e opozitës si një dekor, që nuk vjen dot kurrë në pushtet sepse i ka kapur të gjitha instrumentet e pushtetit banda kryesore dhe këtu jemi tek kjo situatë. Edhe zgjedhja e presidentit e tregoi që kjo është filozofia. Dhe shqiptarët me këtë situatë do të shkojnë në zgjedhje. I vetmi fat i shqiptarëve është që të shohin se sa i paaftë është ky sistem saqë do të vijë dështimi. Ashtu siç ranë piramidat dhe u shkatërrua vendi. Babëzia e kësaj klase në pushtet është e tillë që krijon pasiguri, krijon pasiguri sepse është e paaftë. Kështu ne rrëzohemi. Dhe rrëzimi është shumë i rrezikshëm, sepse nuk shikoj shanse të mëdha. Do ketë trazira sociale, tha Lubonja.