E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Lubonja: Pashë fotot me plumb në ballë të 3 miqve të pushkatuar

Ka parë me sytë e tij fotografitë e tre të pushkatuarve, që u dënuan me vdekje, vetëm pse i shkruan udhëheqjes së PPSH-së disa letra për ndryshimin e kursit politik të Shqipërisë, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.Nën terror psikologjik, por edhe fizik, në Burgun e Spaçit, në fund të majit 1979, Fatos Lubonjës i janë vendosur përpara 5 fotografi, 2 të mëdha dhe 3 të vogla. Ishin imazhet e tre intelektualëve Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprëncka, të cilët fillimisht u dënuan me nga 10 vjet burg, ndërsa më pas dikush dha urdhër dhe me një proces të dytë u pushkatuan. “Te fotoja e parë, e madhe, ishin ata të tre, diku në një ledh, natën, në natyrë, të lidhur me një litar, që shikonin pa dyshim të frikësuar, të tmerruar kamerën e atij fotografit që po i fotografonte në momentin para pushkatimit. Pra, ishin gjallë. Dhe çuditërisht ishte ajo që më tërhoqi më shumë… Që më ngelën sytë… Që sikur ishin gjallë dhe më panë e i pashë… Pastaj fotografia ngjitur, e madhe prapë, ishin që të tre, por tashmë të shtrirë, të vdekur. Ndërsa në të tria fotot e vogla, ishte secili më vete, me plumbin në ballë…”, rrëfeu shkrimtari Fatos Lubonja në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, dëshmitë e të cilit janë zbardhur këtë javë edhe nga gazeta “Panorama”, në dy numra. Sot, vijon pjesa e tretë dhe e fundit e kësaj dëshmie. Rrëfimi i Lubonjës ka nisur që nga njohja e tij me 3 të burgosurit në Spaç, të akuzuar se kishin formuar dy organizata konspirative që punonin kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, njëra me orientim nga Bashkimi Sovjetik me frymë hrushoviane dhe tjetra proamerikane. Më pas, ai na njohu me kushtet në qeli, frika, terrori, përmbajtja e letrave, procesi i parë i dënimit me burg dhe më pas ai i dyti, për dënimin me vdekje të Lezhos, Kokomanit dhe Koprënckës. Frikë dhe dyshim, luftë psikike për jetë a vdekje, viktima dhe xhelatë, Fatos Lubonja sjell pjesën e fundit të dëshmisë për 3 të dënuarit me vdekje, por edhe për veten. Një ditë, ai “u gdhi papritmas anëtar i një organizate revizioniste”, një proces i inskenuar, që rrezikoi ta çonte edhe atë drejt plumbave në ballë, ashtu siç i pa në fotot e Lezhos, Kokomanit dhe Koprënckës
Fevziu: Ju e pranuat vetë që ishit pjesëtar i organizatës?
Lubonja: Jo, për fat, nuk e kam pranuar.
Fevziu: Por edhe mund ta pranoje nën dhunë?
Lubonja: Tjetër gjë është që ta pranosh ti, meqë të futën nën dhunë dhe tjetër gjë është që të vish ti dhe të dëshmosh që më ka thënë ky një gjë të rreme, kur nuk të thotë njeri asgjë.
Fevziu: Pse thoni që gjyqet e para kanë qenë më dinjitoze, ato në mes dhe në fund të viteve ’40?
Lubonja: Fadili është një person i jashtëzakonshëm në gjyq dhe për mua është vërtet i tillë, po të kesh parasysh dhe klimën. Ideja ime është kjo: Nga moment kur komunistët vijnë në pushtet, deri në momentin kur është bërë ky gjyq (1979), ka një proces terrori që vjen e bëhet gjithnjë e më shumë terror psikologjik. Pra, ndryshe terrori psikologjik dhe ndryshe terrori fizik, që ishte më parë. Fillimisht, komunistët sapo kishin marrë pushtetin dhe kishin nevojë të ushtronin terror për të konsoliduar vetveten, për të vrarë, për të eliminuar kundërshtarin. Mos harroni që ata ishin disa djem të rinj që deri dje x, y i kishte pasur në lagje, nuk i kishte marrë seriozisht, i njihte se çfarë ishin dhe kur ballafaqoheshin me atë në hetuesi apo në gjyq, e ruanin atë njohje. Dhe tjetër gjë janë këto figurat e tjera që ndërtojnë një kult të tyre, një mekanizëm dhune, paprekshmëri, gjithëpushtetshmëri, që vjen duke u rritur gjithnjë e më shumë në vite, sidomos rreth figurës së diktatorit. Në 30 vjet, nëse në fillim njerëzit janë përplasur, kanë thënë të vërtetën, janë vrarë, më pas gjithnjë e më shumë njerëzit u mësuan që të mbyllin gojën, gjithnjë e më shumë që të bëjnë një jetë të dyfishtë, ta fshehin të vërtetën dhe familja thoshte “Kujdes këtu e kujdes atje”. Pra, ishte një terror i futur, që ishte mekanizëm shumë i rëndësishëm për ata që të mbanin pushtetin. Edhe instrumenti ishte i tillë. Mos harroni një thënie të Enver Hoxhës që e kam përmendur dhe herë tjetër, që ne e lexonim të shkruar atje: “Kush ngre gishtin, i presim dorën. Kush ngre dorën, i presim kokën”. Imagjinoni se çfarë frike të ngjall kjo.
Ideja pra që mund të dilje në një gjyq dhe të thoshe pikëpamjet e tua, të denoncoje, ishte një ide që erdhi duke u përjashtuar. Maksimumi që mund të bëje përgjithësisht, nga përvoja që kam unë, ishte që ta mohoje akuzën: S’është e vërtetë kjo që po thoni. Por, që të arrije deri në momentin që mund të akuzohesh për gjithçka, ishte vetëvrasje. Dhe e tregon rasti. Për një letër të dërguar nga burgu u dënuan me vdekje. U pushkatuan 3 persona. Prandaj, dua të them që futja e një terrori psikologjik në popull që ka filluar që në vitin 1944-1945, madje që pati një rënie në vitet ’50 sepse pas goditjes së Stalinit pati një lloj lulëzimi vendi, që mund të thuhet se në një lloj mënyre kishte akoma ndonjë shpresë, por sidomos edhe pas prishjes prapë me Bashkimin Sovjetik, ruajtja e stalizinizmit si linjë dhe gjyqet e Teme Sejkos e dënimeve të tjera, gjithë kjo periudhë pastaj vitet ’70 janë komplet vite paranoje, kur ai arriti të godasë dhe të vrasë me akuza false. Kush besonte se Beqir Balluku do të bënte puç, Mehmet Shehu pastaj doli në fund fare kryetar i gjithë këtyre në një komplot, kur ai nuk kishte asnjë lloj fuqie. Si ka mundësi pra? Ishin gjithë këto procese paranojake. Frika ndaj irracionalitetit të një regjimi po bëhej gjithnjë e më absurde, ishte gjithnjë e më e madhe dhe kjo shpjegon gjithë çfarë thashë më parë.
Fevziu: Ju besoj keni biseduar pas vitit 1991, kur u liruat nga burgu me Ramiz Alinë. E keni pyetur ndonjëherë për këtë rast?
Lubonja: Jo, nuk e kam pyetur. As e kam pyetur dhe madje as që e kam menduar ta pyes, sepse e di që nuk do të më japë asnjë lloj përgjigjeje. Përgjithësisht ideja ime është kjo që, këta, udhëheqja, e cila një farë mënyre mbeti udhëheqje deri në fund, por jo vetëm Unë kam vënë re që edhe një pjesë e udhëheqjes nga ata që erdhën në fund në burg, pra që në një farë mënyre u bënë vetë viktima, e pësuan në kohën e Mehmet Shehut. Pra, ajo që kam vënë re unë, është kjo: sa më herët kanë ardhur në burg, aq më të kthjellët kanë qenë këta, pjesa e udhëheqjes. Dhe sa më shumë kanë ndenjur në pushtet, sa më vonë kanë ardhur në burg, kanë qenë e kundërta.
Fevziu: Nuk ju qëllonte që këta persona që kanë ardhur në burg, kryesisht nga fundi, ish-drejtues të udhëheqjes komuniste, mendonin që vetë ishin të pafajshëm, por ata që ishin dënuar para tyre, qoftë edhe disa vjet më parë, ishin fajtorë? Apo e dinin që ishin të gjitha produkte të një mekanizmi kriminal?
Lubonja: është e njëjta gjë. Këtu përsëri vijmë te koha. Sigurisht që unë nuk është se kam pasur një numër shumë të madh
Fevziu: Ata që keni kontaktuar
Lubonja: Ata që janë dënuar deri në periudhën tonë, 73-74, me ushtarakët, që kam folur me një pjesë të tyre, ishin të vetëdijshëm që kishin bërë krime, padrejtësi, dënime, por secili kishte mekanizmin e tij për të justifikuar vetveten, si p.sh. nuk kishte se çfarë të bënte, e njërën, e tjetrën… Ndoshta grupi i fundit ka qenë më i indoktrinuari, më i mbylluri. Kur flas për këtë grup, kam parasysh kryesisht ata që u dënuan me Mehmet Shehun, që ishin Mihallaq Ziçishti, Nesti Nase etj, që të paktën nuk prononcoheshin ndonjëherë kundër ndonjë gjëje në burg. Domethënë, dukej sikur bënin të njëjtën jetë që kishin bërë jashtë. Ndoshta nga terrori i madh që kishin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›