Rekomandimet e BE, Sanino letër Bregut dhe Bushatit
Përmes një letre të përbashkët dërguar ministres së Integrimit, Majlinda Bregu dhe kryetarit të komisionit të Integrimit, Ditmir Bushati, drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sannino i kërkon qeverisë shqiptare por edhe Kuvendit, që të bashkojnë përpjekjet në realizimin e 12 prioriteteve. “Është me rëndësi që Ministria e Integrimit dhe komisioni parlamentar për Integrimin të rishikojnë dhe rifreskojnë Planin e Veprimit, i cili duhet të marrë miratimin e komisionit parlamentar. Ky rishikim dhe rifreskim do të shërbejë në ndërtimin e një kalendari pune dhe masash për t’u implementuar”, - shkruan Sannino. Ai sqaron se për të gjitha hapat e ndërmarrë nga pala shqiptare duhet të informohet Komisioni Europian në mënyrë periodike, për ta pasur më të lehtë monitorimin e progresit të këtij procesi për 12 prioritetet. Komisioni Europian shpreh gjithashtu gatishmërinë e ndihmës në aspektet teknike, duke ofruar asistencë teknike dhe takime të ndërsjellta për çështje thelbësore.