E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensioni KFOR-serbë, Daçiç: Serbia t’i shpallë luftë NATO-s

02-06-2012 / Gazeta 55

Ndërkohë që ishin serbët ata që kanë hapur zjarr të parët ndaj forcave të KFOR-it, nxënësi i preferuar i Sllobodan Millosheviçit ka shpërthyer me deklarata që i ka mësuar gjatë leksioneve me Millosheviçin, duke i nxjerrë serbë të pafajshmit e Ballkanit dhe NATO-n, armikun e madh të serbëve

Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiç, ka lëshuar dje një deklaratë me të cilën e ka kthyer Serbinë në vitet ‘90, dhe u ka dhënë të drejtë disa analizave, sipas të cilave Serbia është me shpirt anti-Perëndim dhe anti-NATO. Daçiç ka deklaruar se Serbia duhet të përgjigjet ashpër ndaj siç ka thënë sulmeve ndaj serbëve në veri të Kosovës. Komentet e tij vijnë një ditë pas përpjekjes së KFOR-it që të heqë barrikadën në Rudarë të Zveçanit, gjatë të cilit operacion u plagosën dy ushtarë të KFOR-it dhe tre serbë. “Duhet të reagojmë në mënyrë reciproke. Këto janë marrëdhëniet në komunitetin ndërkombëtar. Çfarë është reciprociteti, le ta marrin parasysh ata që flasin për këtë. Nëse dikush mendon se dikush mund të sulmojë serbët në veriun e Kosovës pa u ndëshkuar, atëherë qeveria e Serbisë nuk ka politikë shtetërore”, tha Daçiç para gazetarëve në Banjallukë, pas takimit me presidentin e Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik. Serbët në pjesën veriore të Kosovës që nga korriku i vitit të kaluar kanë vendosur barrikada për të penguar qarkullimin e lirë nga pjesa jugore e banuar me shumicë shqiptarë ne atë veriore, më shumicë serbe. Forcat e KFOR-it kanë ndërmarrë disa herë aksione për të hequr barrikadat, të cilat pamundësojnë edhe qarkullimin e tyre. Ndërkohë, një ditë pas aksionit që ndërmori misioni i NATO-s në Kosovë, në pjesën veriore të vendit, duke hequr një barrikadë rrugore në fshatin Rudarë, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë thonë se situata e është e qetë dhe se nuk ka pasur ndonjë veprim që mund ta ketë cenuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë pjesë. Përfaqësues të këtyre mekanizmave njoftojnë se gjendja shëndetësore e dy ushtarëve ndërkombëtarë, që u plagosën gjatë aksionit të së premtes, është përmirësuar dhe se ata u janë kthyer njësiteve të tyre. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas heqjes së barrikadës në Rudarë, në zonat në veri të Kosovës nuk ka mbetur ndonjë barrikadë tjetër përveç asaj mbi urën kryesore mbi lumin Ibër. Kjo barrikadë, sipas Novickit, nuk pengon lirinë e lëvizjes në veri të Mitrovicës dhe se, siç thotë ai, do të mbetet si simbol i kundërshtimit të serbëve ndaj integrimit të kësaj pjese në Kosovë. “Ne i kemi disa ura mbi lumin Ibër në veri të Mitrovicës- madje edhe në pjesën perëndimore të qytetit. Kjo barrikadë rrugore, të cilën ne e konsiderojmë më shumë si simbol që simbolizon protestën e serbëve kosovarë kundër integrimit në Kosovë, mbetet si simbol dhe nuk pengon lirinë e lëvizjes”, thotë Novicki. Aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë hasi në kundërshtimin e serbëve lokalë, tre prej të cilëve thuhet se u plagosën duke protestuar kundër këtij veprimi. Mirëpo, qysh kohë më parë, KFOR-i ishte zotuar për heqjen e të gjitha barrikadave rrugore, të cilat i patën vendosur serbët e veriut të Mitrovicës pas aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në korrik të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se policia do të vazhdojë ta mbështesë KFOR-in, ndërsa nuk hedh poshtë mundësinë që të iniciohen hetime për shkaktarët e dhunës në aksionin e së premtes. “Policia gjithsesi do të kryejë rolin tjetër dytësor në kuadër të ruajtjes së rendit publik  dhe ndoshta më vonë në kuadër të të gjitha këtyre ngjarjeve, inicimin e hetimeve për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirjen e tyre në këto akte kriminale”, konfirmon Hoti. Të premten, njësitet e KFOR-it përdorën makinerinë e rëndë dhe ekskavatorët me qëllim të heqjes së barrikadës në Rudarë të Zveçanit. Pas reagimit të serbëve lokalë, të cilët deshën të pengojnë këtë operacion, KFOR-i është detyruar të përdorë edhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa pati edhe të shtëna me armë zjarri. Pjesa veriore e Mitrovicës mbetet ende vatër tensionesh për shkak të rezistimit të banorëve serbë për t’i pranuar institucionet shtetërore të Kosovës. Pengesë kryesore për integrimin e asaj pjese në jetën institucionale e shoqërore të vendit thuhet se janë strukturat paralele serbe të mbështetura, deri më tani, nga Beogradi zyrtar.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›