Data e katërt
Serbia nuk është se është parë si një shtet me “dy dyer”, siç e pohoi Tomisllav Nikoliç me një nuancë theksimi, në ditën e betimit si president. Serbia derën e madhe e ka nga Moska dhe këtë e di e gjithë bota. Por, ai paralajmëroi se kërkon një derëz kah perëndimi, duke e thënë edhe në mënyrë metaforike, enkas për Brukselin. Dihet nga biologjia që, dhelpra dinake e ndërton strofkën me dy dalje.
Pesë vjet e pushtetit të tij përpara, janë kohë e gjatë dhe, çfarë do të ndodhë gjatë tyre, vështirë të parashihet. Por ka katër data që shtrojnë trasenë mbi të cilën do të ecë Serbia. Le t’i quajmë ato katër datat caqe për Nikoliç:
Data e parë ishte ajo e së dielës, 20 maj 2012, kur Nikoliç e shtangu perëndimin me fitoren e tij kundër Tadiç, i sponsorizuar politikisht për mandatin e tretë. Një shenjë e fortë se, tranzicioni serb zgjat pafund.
Data e dytë ishte ajo e së shtunës, 26 maj 2012, vizita rrufe në Moskë. Nikoliç dhe Putin thanë deklarata të ndërsjella, krejt të kthjellta, që nga ato politike deri për vëllazërinë shpirtërore mes rusëve dhe serbëve. Do të qe habi po të mos shkonte së pari atje, dhe pa u vonuar.
Data e tretë ishte ajo e së enjtes, 31 maj 2012. Ditën e betimit si president, Nikoliç vuri në spikamë që, e do Serbinë shtet të barabartë në Bashkimin Europian, por Kosova e Metohia janë pjesë e sovranitetit territorial të Serbisë. Ai bëri thirrje që, bashkëqeverisësit në vend, ta mbështesin fort këtë strategji të tij.
Data e katërt do të jetë ajo e së enjtes, 14 qershor 2012, kur presidenti Nikoliç do të shkojë në Bruksel. Lajmet bëjnë me dije që, Bashkimi Europian po përgatit me kujdes vizitën e tij, e paraprirë me deklarata ftuese, por dhe mikluese . Me këto pikëpamje as Nikoliç nuk ka kundërshtim, por “mina” rri në ato që Nikoliç i ka thënë zëshëm për Brukselin, sipas formulës “Edhe Europën edhe Kosovën”, ndërsa atij, ajo duhet t’i shndërrohet atje, në “ Kosovën jo e jo, po as Europën”, nëse nuk zmbrapset.
Tri datat e para janë të Nikoliç, e katëta nuk duhet të bëhet datë e presidenti radikal serb, e mbartjes së luftës prej një nacionalisti të skajshëm, nga Beogradi për m’u në zemër të Bashkimit Europian. Atje ai pritet të përsërisë fjalorin dhe pikëpamjet e veta nacionaliste siç i thotë gjithandej, edhe qysh kur fitoi presidencën: përmes televizionit rus ´”Russia Today” bëri të ditur se, po shihet mundësia që parlamenti serb të njohë zyrtarisht pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut, nëGjeorgji; gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” i tha që, “Serbia e madhe” është “ëndrra e parealizuar”, çka lë të kuptohet se e ka mision të mandatit të vet presidencial; Kroacinë e gjuajti duke ia ngritur nervat me Vukovari është qytet serb; Kosovës i përsërit se do të mbetesh nën kontrollin e Beogradit; dhe Bashkimit Europian i foli prerë që, “Serbia nuk do të heq dorë nga Kosova për hir të antarësimit në BE”. Kurse Brukseli ka rastin e parë, të drejtpërdrejtë, t’ia shkoqisë presidentit serb që, Kosova shtet është çështje e mbyllur dhe, Nikoliçit president nuk i ka mbetur tjetër për kur ka ardhur në pushtet, veçse të ndërtojë marrëdhënie me fqinjin e vet jugor.
Ajo që shihet të ndodhë në Serbi, i ngjan rokadës së vogël , sepse e madhja është kryer në Rusi, mes Putin dhe Medvedev. Nikoliç nuk ka qenë kryeministër, por zëvendëskryeministër po, dhe jo nën presidencën e Tadiç, por të Millosheviç, të cilin e mbron edhe sot e kësaj dite, duke bërë përgjegjëse Gjykatën e Hagës se, “kemi dyshime të shumta rreth rrethanave të vdekjes së Sllobodan Millosheviç”. Kështu, Nikoliç, nga zevëndëskryeministër shkoi në presidencë, ndërsa Tadiç nga president, pritet të ulet në kolltukun e kryeministrit. Me fjalorin e lojës së shahut, kjo është rokadë, por sipas specialistëve të pemtarisë, shohim përpjekje për një shartim, proces teknik që ndodh mes dy bimëve me afri të madhe biologjike. Tadiç u përpoq të bëjë europerëndimorin duke shpërdoruar fjalën “kurrë”, për mosnjohjen e Kosovës, por dy mandatet e tij, “në dukje dardhë” për BE, ishte një shartim i dështuar mbi gorricën e radikalëve të Nikoliç, një shumicë e vërtetë me radikalët e Koshtunicës e të tjerë, edhe në parlament. Shartesa e Tadiç nuk zuri - prandaj dhe u ndërruan vendet: mbishartesë janë radikalët që u prin presidenti Tomisllav Nikoliç, që kanë ardhur në pushtet të lulëzojnë .
Data e katërt, 14 qershor 2012, duhet të jetë domethënëse për BE, për t’i treguar vendin politikës kundërthënëse të Serbisë, me strategjinë “Edhe Europën edhe Kosovën”. Nëse qëndrimi i presidentit Sllobodan Milloheviçit, me parullën “Kosova është ështje e brendshme e Serbisë”, u mposht vetëm me luftë, parulla e zyrtarit të tij të lartë Tomisllav Nikoliç, tani president i Serbisë, “Për Kosovën heqim dorë nga Europa”, mposhtet vetëm me kushte shtrënguese nga perëndimi: Harro Kosovën, për t’u hapur një derëz nga Brukseli!