Fatura e PS dhe PD për premtimet e punësimit, mbi 400 milion euro
Nëse do të mund të flitet për efektet e krizës ekonomike në Shqipëri, ajo sigurisht që do të kujtohet gjatë për goditjen që ka dhënë në forcën e punës, ku për katër vjet, sipas statistikave zyrtare të INSTAT, nuk është gjeneruar asnjë vend i ri, edhe pse politikat fiskale për të rritur investimet kanë qenë mjaft të lëvizshme.
Premtimi i hapjes së vendeve të reja të punës është vënë edhe në qendër të lobimit që po bëjnë gjatë fushatës edhe partitë politiket. Dy forcat kryesore, PS dhe PD premtojnë hapjen e disa mijëra vendeve të reja pune, ku në thelb të këtij programi vendoset zhvillimi i zonave rurale.
Fatura financiare që do të duhet ti paguajë arkës së shtetit për secilin variant është per PS 480 mln euro ndërsa për PD 400 mln euro, raporton Vizion Plus. Sipas të dhënave të publikuara për tremujorin e parë të këtij viti, Instituti i statistikave deklaron se shkalla e papunësisë është 12.8%, e njëjtë me atë të një tremujori më parë.
Aktualisht numri i të punësuarve shkon në 970 mijë ku rreth gjysma e këtyre figurojnë si të punësuar në sektorin bujqësor, matje e cila metodologjikisht e konsideron një person që jeton në fshat dhe që ka një tokë në përdorim, si të vetëpunësuar.