Komuna e Lukovës fiton betejën për hetimin e Kakomesë kundër ALUIZNI-t

Kantier ndertimi ne Kakome
Gjykata e Apelit, Tiranë, vendosi të mos pranojë ankimin e Prokurorisë së Rrethit Tiranë me objekt gjykimi Kundërshtimin e vendimit të mosfillimit të çështjes penale në ngarkim të punonjësve të ALUIZNI-t Tiranë, për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Një zëdhënës i Komunës së Lukovës i tha gazetës Tema se Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, për të nisur procedura e hetimeve pas padisë së bërë nga Komuna.
Punonjësit e ALUIZNI-t Tiranë kanë abuzuar dhe shitur pasuri publike 30 ha tokë kullotë në Kakome-Nivicë, Sarandë, nëpërmjet dispozitave ligjore mbi legalizimin e ndërtimeve pa leje edhe pse në këtë sipërfaqe nuk ka të ndërtuara objekte nga shoqëria përfituese Riviera Kakome shpk.
Nëpërmjet këtij legalizimi të kundërligjshëm, shteti ka humbur miliona euro.
Gjykata e Apelit Tirane vendosi të martën të mos pranojë ankimin e Prokurorisë së Rrethit Tiranë dhe të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, dërgimin e çështjes për vazhdimin e hetimeve pranë prokurorisë së rrethit Tiranë duke kryer veprimet hetimore të caktuara nga gjykata e rrethit Tiranë, sipas kërkesave të përcaktuara nga kallëzuesi Vladimir Kumi, kryetar i Komunës Lukovë.