INSTAT manipulon shifrat e punësimit, në fshat nuk ka asnjë të papunë
Instituti i Statistikave publikoi disa ditë më parë të dhëna të reja dhe dukshëm të ndryshuara mbi punësimin në Shqipëri, në krahasim me shifrat që vetë INSTAT pati publikuar më parë, raporton Shqip.
Shifrat besohet se janë ndryshuar për shkak të fushatës elektorale, për shkak se PS prej kohësh i referohet pikërisht të dhënave të INSTAT për shtimin e të papunëve.
Statistikat e reja të INSTAT kanë ulur me disa dhjetëra mijë numrin e njerëzve të klasifikuar si të punësuar në vitin 2009 si dhe kanë rritur shifrën e të punësuarve për vitin 2013. Nëse më parë, statistikat tregonin rënie të punësimit, tashmë ato tregojnë rritje.
INSTAT raporton dy kategori punësimi: a) Punësimi urban, të dhënat për të cilat mblidhen nga Ministria e Punës dhe që tregojnë shqiptarët e punësuar me sigurime shoqërore dhe; b) të vetëpunësuarit në bujqësi. Këto llogariten me përafërsi nga INSTAT. Zyrtarisht, në fshatin shqiptar nuk ka të papunë. Çdokush që është në moshë madhore ka një copë tokë dhe rrjedhimisht është i vetëpunësuar./b.l