E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat e ujit, nëpunësit më jokorrektët në pagesa

Fenomeni

Vlorë- Duhet të ishin të parët në dhënien e shembullit pozitiv, po sikurse ndodh rëndom, edhe sot në përfundim të dekadës së dytë të rënies së komunizmit, ata janë të parët që shkelin ligjet e shtetit, uniformën e të cilit mbajnë veshur. Ndodh në Vlorë, por jo vetëm në këtë qytet, jo shumë larg vëmendjes së zhvillimeve shoqërore. Në qytetin bregdetar, statistikat thonë se pothuaj 40 për qind e punonjësve në administratën shtetërore nuk kanë kryer pagesat e ujit të pijshëm. Lajmin e konfirmojnë vetë drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në qytetin e Vlorës, të cilët shprehen se në listën e personave që rezultojnë debitorë ndaj ndërmarrjes, përfaqësuesit e ujësjellësit kanë identifikuar se një pjesë e mirë e tyre janë në marrëdhënie pune shtetërore. Laureta Tagani, kryetare e degës së shitjeve në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë, pohon se është kërkuar bashkëpunim institucional për të vjelë debitë te konsumatorë të tillë. “I kemi kërkuar prefektit të ushtrojë autoritetin e tij, që ndërmarrjet të na venë në dispozicion listat e punonjësve, për të bashkëpunuar për debitorët që kemi. Nuk është e drejtë që në masën e madhe të popullatës, t’u kërkohet pagesa vetëm atyre që kanë probleme ekonomike. Fillimisht, pagimi do të nisë nga këta debitorë”. Po kështu ka edhe prej ndërmarrjeve shtetërore, të cilat rezultojnë debitore ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Disa prej tyre nxjerrin si pretekst mungesën e fondeve. “Ndërmarrjet buxhetore janë debitore në masën 20 për qind dhe po kështu kemi kërkuar edhe për to bashkëpunim institucional”,- thotë drejtoreshë Tagani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›