Dita e 17 pa mësim, tre mijë studentë në rrugë
Universiteti Politeknik nuk pranon në auditorët e tij studentët e Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Sociale
Në javën e tretë të pezullimit të leksioneve, studentët kërcënojnë se do të rinisin protestat
Kërcënojnë se do të dalin sërish në protestë. Dhe, tashmë, me të drejtë. Ka më se tri javë që ata enden rrugëve, pa zhvilluar asnjë orë leksion dhe, për më keq, askush nuk begenis qoftë edhe t’u japë një informacion elementar se çdo të ndodhë me ta. Studentëve në Fakultetin Juridik dhe atyre në Shkencat Sociale, u ka ardhur aty ku nuk mban më. Ata kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të situatës, në të kundërt, premtojnë se nuk u ngelet gjë tjetër, vetëm se të bllokojnë dyert e rektoratit të Universitetit të Tiranës. Dy javë më parë, Ministria e Arsimit premtoi se do të verë në funksionim për zhvillimin normal të leksioneve në të dy fakultetet, ambientet në shkollën “Migjeni”, në kryeqytet. U tha, madje, se leksionet do të rifillonin shumë shpejt, por në fakt, as atëherë dhe as sot nuk është parë këmbë studenti të shkelë në klasat e sistemuara me emergjencë në auditore. Gjasat janë që kjo gjendje të vazhdojë kështu edhe përgjatë muajit dhjetor. Drejtues të Fakultetit Juridik, por edhe të atij të Shkencave Sociale, nuk janë të bindur me kapacitetet e shkollës “Migjeni”. Ata shprehen se shkolla e servirur nga Ministria e Arsimit nuk i plotëson kushtet për të akomoduar studentët, të cilët, së bashku, numërohen të jenë rreth 3 mijë të tillë. Ndërkohë që vetë Ministria e Arsimit duket se me propozimin për transferimin e studentëve në shkollën “Migjeni”, i ka larë duart nga problemi. Aktualisht, shkolla në fjalë është në procesin e meremetimit të ambienteve të brendshme, por kjo duket se pak u intereson studentëve, të cilët e refuzojnë si zgjidhje. Mësohet se ditë më parë, Universiteti i Tiranës ka bërë edhe përpjekjen e fundit për të zgjidhur provizorisht situatën e krijuar nga pezullimi i leksioneve në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale. Drejtues të rektoratit në fjalë, kanë kontaktuar me drejtues të rektoratit të Universitetit Politeknik, ku kanë kërkuar ndihmën e këtyre të fundit për të akomoduar studentët e dy fakulteteve ku është pezulluar mësimi në ambientet e Fakultetit të Gjeologji-Miniera. Kërkesa nuk është pranuar nga drejtuesit e rektoratit të Universitetit Politeknik, të cilët nuk e kanë parë të arsyeshme vendosjen e studentëve që nuk i përkasin këtij universiteti në ambientet e tij. Refuzimi i kërkesës e ka çuar problemin në udhë pa krye, ndërkohë që deri më tani nuk disponohet asnjë informacion nga grupi i ekspertimit të godinave ku janë shfaqur problemet. Më herët, drejtues të Prokurorisë Gjyqësore Tiranë, kanë bërë të ditur se do të duhen, të paktën 3 muaj, që grupi i ekspertëve të dalë në raport përfundimtar, nëse godinat i plotësojnë ose jo kushtet për të vazhduar normalisht mësimin. Drejtues të qeverisë studentore paralajmërojnë se nuk do të presin kaq gjatë për të vazhduar leksionet. Ata kërkojnë nga instancat përkatëse të merren masa të menjëhershme për normalizimin e ecurisë mësimore, në të kundërt, e gjithë koha e humbur do të bjerë në kurriz të studentëve, të cilëve do t’u duhet të plotësojnë programin studimor në një periudhë tjetër kohore. Të dorëzuar përballë gjendjes së krijuar, janë edhe drejtues të dy fakulteteve, të cilët preferojnë më mirë të heshtin, sesa të kërkojnë të marrin frerët e zgjidhjes së problemit.
Heshtje e plotë, drejtuesit e UT-së bëjnë sehir
Studimet në Fakultetin Juridik dhe atë të Shkencave Sociale janë ndërprerë më datën 14 nëntor, në bazë të një vendimi të marrë nga senati i Universitetit të Tiranës. Vendimi është marrë pas problemeve të konstatuara në godinat ku ndodhen dy fakultetet, muret e të cilave janë krisur si pasojë e punimeve të dobëta të kryera në to gjatë punimeve për ndërtimin e shtesës në Fakultetin e Shkencave Sociale. Problemi i godinave është ngritur dy vite më parë nga drejtuesit e fakulteteve të prekura, por u desh tragjedia në Gjirokastër, që të rritej shkalla e ndërgjegjësimit te studentët, që qenë të parët që braktisën leksionet. Fill pas marrjes së vendimit nga senati i Universitetit të Tiranës për pezullimin e mësimit, Ministria e Arsimit propozoi shkollën “Migjeni” në kryeqytet, si vendin më të përshtatshëm për akomodimin e studentëve të Fakultetit Juridik, gjë që nuk është pranuar deri më tani nga këta të fundit, por edhe drejtues të fakulteteve që i cilësojnë ambientet e ofruara si të pamjaftueshme për akomodimin e tre mijë studentëve.