E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturat fiktive, hetohen 6 biznese

TIRANE- Të paktën gjashtë biznesmenë rrezikojnë të përballen me Drejtësinë pasi dyshohen se përmes firmosjes së faturave fiktive kanë dubluar bilancet e firmave duke i shkaktuar shtetit dëmin prej 1.5 miliardë lekësh të vjetra. Lajmi bëhet i ditur nga burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat po hetojnë prej më shumë se pesë muajsh aktivitetin kriminal të gjashtë ish-ekspertëve kontabël.

Në hetim janë Brunela Trebickën, e veja e të ndjerit Kosta Trebickës, që denoncoi aferat korruptive të trafikut të armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit; Nevila Bami, ish-drejtoresha e Tatim-Taksave në Fier dhe ish-kandidate për deputete e Partisë Demokratike; Shkëlqim Sako, Ajeta Shkëmbi, Klodian Çela dhe Marjana Palla.

Sipas hetuesve, biznesmenët kanë bashkëpunuar me ish-ekspertët kontabël duke firmosur fatura fiktive për shitjen e mallit apo shërbimit, duke shmangur në këtë mënyrë pagesën e TVSH-së.
Hetimi
Nga hetimet ka rezultuar se ekspertët kontabël që ndodhen në arrest shtëpiak, kishin arritur të ngrinin dy firma fantazma me seli në qytetin e Elbasanit, të cilat nuk kishin asnjë aktivitet, por i përdornin për të mbuluar qarkullimet financiare të kompanive që u bënin bilancet, në një. Kontabilistët, duke falsifikuar fatura të ndryshme të pagesave ndaj kompanive fantazmë, kanë përfituar shuma të ndryshme parash nga shteti, i cili subvencionon Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-në). Sipas Prokurorisë, faturat e ndryshme të pagesave janë firmosur nga vetë biznesmenët, të cilët në këtë mënyrë përfitonin shuma të majme. Kontabilistët kanë bërë bilancet e dhjetëra kompanive private në Tiranë, Elbasan dhe Fier, por vetëm në gjashtë raste pronarët e këtyre kompanive kanë firmosur faturat fiktive, çka ka sjellë për pasojë një dëm të madh ndaj shtetit pasi kanë shmangur tatimin mbi fitimin. Ndaj, gjashtë biznesmenët do të merren në përgjegjësi penale dhe do të ulen në bankën e të akuzuarve së bashku me ekonomistët.
Operacioni
Ish-ekspertët kontabël, Nevila Bami, ish-kandidate për deputete; Shkëlqim Sako, Ajeta Shkëmbi, Marjana Palla dhe Klodian Çela akuzohen për veprat penale të "vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën", "falsifikimit të dokumenteve" dhe "falsifikim të vulave, stampave ose formularëve". Ndaj Bamit, Shkëmbit dhe Pallës Gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie", ndërsa ndaj Sakos atë të "detyrimit të paraqitjes". Më datë 24.10.2009, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për Brunela Trebickën, pasi dyshohet për "vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës". Nga hetimet e kryera deri më tani, dyshohet se Trebicka është "koka" e grupit të zbuluar të ekspertëve kontabël të cilët kanë mashtruar Tatimet me rimbursimet e TVSH-së, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 1.5 miliardë lekësh. Operacioni për vënien e tyre në arrest shtëpie u kodua "Fshehja".
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›