E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Shengen' për fqinjët, fluks udhëtarësh në portin e Durresit

DURRES -Autoritetet portuale në Durrës po përgatiten për pritjen e një fluksi të madh pasagjerësh me rastin e festave të fundvitit. E veçanta e këtij sezoni është se në port pritet që për herë të parë të zbarkojnë edhe mijëra serbë, malazezë e maqedonas, të cilët që nga data 19 dhjetor mund të qarkullojnë lirshëm në hapësirën 'Shengen' të pajisur me pasaporta biometrike. Burime nga policia e portit sqarojnë se kalimi i tyre nëpërmjet portit të Durrësit si vend tranziti, ka të bëjë me faktin se rruga këtej është më e shkurtër sesa nga Greqia. Por, ata sqarojnë se edhe çmimi i biletave të udhëtimit është më i ulët.
PORTI
Në port autoritetet nuk duan ta humbin këtë rast për të joshur serbët, maqedonasit dhe malazezët që të frekuentojnë përgjithmonë linjën detare me Durrësin. Kjo do të sillte fitime të mëdha për të gjithë operatorët portualë. Për këtë arsye janë marrë të gjitha masat që përpunimi i trageteve të kryhet shpejt dhe pa probleme. Policia ka dyfishuar numrin e personelit, si dhe ka 3-fishuar numrin e sporteleve të verifikimit të dokumenteve. Për këtë qëllim janë përgatitur dhe janë në gjendje pune 19 sportele, si dhe është dyfishuar numri i efektivit të policisë kufitare.
Nga ana e tyre kompanitë e lundrimit kanë marrë masa për dyfishimin e trageteve gjatë ditëve të pikut. Më datë 19 dhjetor, në portin detar të Durrësit pritet që të nisë fluksi i emigrantëve, të cilët do të vijnë me rastin e festave të fundvitit.
MASAT
Në policinë e portit thonë se kësaj radhe, ndryshe nga vitet e shkuara, përveç emigrantëve vendas dhe kosovarë pritet që të zbarkojnë edhe shtetas serbë, malazezë dhe maqedonas. Për ta data 19 dhjetor shënon liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë në hapësirën 'Shengen'. I vetmi dokument që do të kërkohet prej tyre është pasaporta biometrike. Policia portuale ka marrë masa, të cilat synojnë përpunimin e shpejtë të trageteve si në mbërritje ashtu dhe në nisje. Ndërkohë, në kapitenerinë e portit sqarojnë se fluksi i udhëtarëve do të shtrihet nga data 19 dhjetor 2009 deri më 13 janar 2010. Nga ana e tyre kompanitë e lundrimit kanë dyfishuar numrin e trageteve për periudhën e pikut. Pra ato do të realizojnë nga dy lundrime në ditë, nga një që realizojnë në situatë normale. Në portin e Durrësit funksionojnë 5 linja detare, tri prej të cilave e lidhin atë me portin e Barit, dhe një me Ankonën e një me Triesten. Gjatë ditëve të pikut do të funksionojnë që të dyja hyrjet e daljet e terminalit të trageteve, si dhe katër hyrjet e portit detar. Gjithashtu, sistemi TIMS ka azhornuar të gjitha të dhënat e personave që janë shpallur në kërkim nga organet vendase dhe ato ndërkombëtare.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›