E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, diabeti prek rreth 160 mijë shqiptarë

Shefi i shërbimit të Endokrinolgjisë, Agaçi, pohon se sëmundja e diabetit është 5-fishuar që nga viti 1985. Ja pasojat

Sëmundja e diabetit shfaqet me shifra alarmante në vendin tonë. Jo pak, por rreth 160 mijë shqiptarë të të gjitha moshave janë të prekur nga kjo sëmundje. Faktet alarmante bëhen të ditura pikërisht me rastin e Ditës Botërore të Diabetit nga Shërbimi i Endokrinologjisë, ku theksohet se numri i të sëmurëve është pesëfishuar që nga viti 1985. Shefi i këtij shërbimi, Feçor Agaçi, shpjegon pasojat që sjell kjo sëmundje, sidomos kur nuk diagnostikohet në kohë.

Rreziku

Rreth katër për qind e popullsisë së përgjthshme në vend, të të gjitha grupmoshave, është e prekur nga sëmundja e diabetit. Kështu, shifrat e raportuara nga shërbimi i Endokrinologjisë në QSUT, tregojnë për një pesëfishim të rasteve me diabet që nga viti 1985."Nëse në vitin 1985, diabeti kapte 0.8 për qind të popullatës në përgjithësi për të gjitha grupmoshat, tashmë ka arritur pothuajse në 4 për qind, që është një rritje pothuajse e pesëfishuar", - tha të premten shefi i këtij shërbimi, Feçorr Agaçi. Sipas tij,një kategori të prekurish nga diabeti janë diabetikët "e fshehur", pra e kanë sëmundjen në fazat fillestare, ende të pashfaqur. Gjithashtu ai pohon se shqetësuese është rritja e shifrave të sëmundjes së diabetit tek fëmijët, e cila mendohet të jetë rreth 1 mijë.Duke e cilësuar si një sëmundje tepër të rrezikshme, edhe Drejtori i Qendrës së Akreditimit të Shërbimeve Shëndetësore, Isuf Kalo, ka treguar pasojat e kësaj sëmundjeje. “Një person me diabet, sipas mjekëve, rrezikon shumë gjëra, pasi kjo sëmundje zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për abotimet (prerjet e këmbëve), për infarkte miokardi, për dëmtime në tru, etj”, - shpjegon ai, duke shtuar se diabeti godet kudo, çdo organizëm, çdo organ, çdo sistem dhe çon në invalidizëm, kjo do të thotë që njerëzit edhe vdesin para kohe, por më shumë invalidizohen.

Këshilla

Mjekët këshillojnë që personat mbi moshën 40 vjeç, tek të cilët risku për të patur diabet është më i lartë, të kryejnë një herë në tre vjet, ose një herë në vit analizat e diabetit. Sipas tyre, diabeti, të paktën tek gjysma e të prekurve, mund të parandalohet, nëse kurohet që në fazat më të hershme të tij. Arsyeja kryesore e shfaqjes së sëmundjes së diabetit, sipas mjekëve, është ndryshimi i mënyrës së jetesës, ku njërëzit ushqehen më mirë, lëvizin më pak, por kanë dhe strese psiko-emocionale negative. Obeziteti, gjithashtu, është një tjetër shkaktar kryesor i diabetit, duke bërë që personat mbipeshë të jenë më të riskuar prej tij. Të riskuar nga kjo sëmundje janë gjithashtu ata persona që e kanë të trashëguar diabetin, si dhe ata me hipertension, gratë që kanë lindur fëmijë me peshë mbi 4 kilogramë, personat me yndyrna të larta në gjak dhe ata që bëjnë infeksione të shpeshta të lëkurës.

Çfarë është diabeti

Diabeti është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën sesi organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne marrim me ushqimet e ndryshme. Kjo sëmundje shkakton pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Në këtë rast insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë, sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme si, etja, shtimi i oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqëndrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet. Ato mund të jenë të veçuara dhe në shkallë të ndryshme të intensitetit të tyre. Është pikërisht ky intensitet që bën në shumicën e rasteve, që diagnoza të përcaktohet me vonesë ose ai të zbulohet rastësisht pas një kalimi të një krize në zemër apo infarktit të saj. Po kështu shkalla e shprehjes së shenjave të sëmundjes, varet shumë nga mënyra e korrigjimit të sëmundjes, pra terapia me ilaçe, mënyra e të ushqyerit (dieta) dhe mënyra e jetesës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›