Favorizojnë Gjermaninë e Spanjën

Edhe pse Kosova ende nuk është bërë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s, Kampionati Evropian - i cili prej të premtes do të zhvillohet në Poloni e Ukrainë – pritet të përcillet me të madhe edhe në vendin tonë, sikurse çdo Evropian dhe Botëror i kaluar.
Madje, fillimin e këtij evenimenti mezi po e presin edhe trajnerët e njohur kosovarë. Edhe pse profesionin e tyre vazhdojnë ta ushtrojnë vetëm brenda kufijve të Kosovës, si strategë të futbollit ata i njohin mirë përfaqësueset e shteteve të cilat do të garojnë në ‘Euro 2012’.
Sipas tyre, favoritë për të triumfuar në këtë Evropian janë Spanja, Gjermania, por edhe Holanda. Mirëpo, strategu prishtinas Afrim Tovërlani paralajmëron se këto favorite mund të befasohen nga Italia, e cila në të kaluarën ka ditur të stoliset me tituj nga plani i dytë.
“Sipas meje, favoritë janë Spanja, Gjermania dhe Holanda. Megjithatë, sa i përket Spanjës, jam më skeptik që do të mund të triumfojë për të tretën herë rresht përballë kombëtareve tjera të forta. Spanjollët më duken më të lodhur në dallim prej viteve të kaluara. Kurse gjermanët kanë moshën dhe përvojën e duhur për ta arritur qëllimin. Njëjtë mendoj edhe për Holandën”, deklaroi Tovërlani për Express.
“Befasi mund të jetë Italia. Italianët në të kaluarën kanë pasur kriza të ndryshme, nuk i kanë nis mirë kampionatet, por në çastet e fundit kanë ditur të nxirren nga ato situata dhe në fund janë stolisur me trofe. Njëjtë mund të veprojnë edhe në këtë Evropian”, shtoi ai.
Për dallim prej Tovërlanit, trajneri tjetër i njohur kosovar, Ramiz Krasniqi thotë se Franca mund t’i befasojë favoritet siç janë Spanja e Gjermania.
“Janë disa skuadra favorite në letër, por fare lehtë mund të ketë edhe befasi. Por, kjo lidhet ngushtë me formën e lojtarëve të tyre nëpër skuadrat përkatëse. Duke u bazuar në këtë, unë favorizoj Spanjën, por edhe Gjermaninë. Mirëpo, aty është edhe Franca, e cila ka treguar formë të lartë në këto ndeshjet e fundit kontrolluese e që mund të befasojë. Njëjtë mendoj edhe për Holandën”, theksoi Krasniqi.