Hasreti i Evropianit

Kampionati Evropian po fillon! Siç është bërë traditë në dekadën e fundit, edhe këtë radhë, në Ukrainë dhe Poloni do të shijojmë ‘aromë Kosove’. Vendi ynë në ‘Euro 2012’ do ta ketë ambasadorin e tij.
Bëhet fjalë për Emir Bajramin, i cili do ta përfaqësojë Suedinë. 24 vjeçari e realizoi një ëndërr për të marrë pjesë në një eveniment të rëndësishëm siç është Evropiani, që mbledh përfaqësueset më të forta të kontinentit të vjetër.
“Evropiani ka qenë ëndërr e imja që kur isha i vogël. Shpresoj të më jepet mundësia ta kem ndonjë minutë në këmbët e mia në Ukrainë dhe Poloni. Jam i koncentruar në këtë kompeticion dhe nuk po mendoj për gjëra tjera. Më duket një gjë madhështore”, deklaroi futbollisti i Twentes.
Ai beson se do të ketë sukses, si në nivelin personal, ashtu edhe ekipor, në evenimentin që fillon sot dhe përfundon më 1 korrik. Futbollisti kosovar u ftua nga selektori Erik Hamren në listën përfundimtare të përfaqësueses për evenimentin më të rëndësishëm të futbollit këtë vit.
“Siç ka thënë Hamren, i kam disa cilësi që i nevojiten atij. Mua më kanë shkuar mirë punët në ekipin e tij, kështu që më vjen mirë që ka besuar tek unë dhe që më ka përfshirë në listë. Objektiv i ekipit është të shkojmë përpara dhe ta synojmë ndonjë medalje”, vazhdoi ish futbollisti i Elfsborgut.
Bajrami e kishte kuptuar se e ka marrë ftesën pasi e kishte ndezur televizorin, kur edhe e kishte parë emrin e tij në listën e të ftuarve. Pastaj atë e kishin vërshuar telefonatat për ta uruar. Edhe pse nuk luajti shumë kohë këtë sezon me Twenten, futbollisti kosovar ndihet në formë të mirë.
Ai u tregua i suksesshëm në fazën përgatitore prej dy javësh, kështu që selektori Hamren mund t’ia japë mundësinë në ndeshjen e parë të fazës së grupeve ndaj Ukrainës. Përpos mikpritësit të këtij turneu, Suedia do t’i ketë në grup edhe Francën e Anglinë.
Edhe pse nuk e përfaqëson Kosovën, shqiponja dykrerëshe që e mban të vizatuar në krahun e tij është treguesi më i mirë se në venat e tij rrjedh gjak shqiptari. Dhe, padyshim se Bajrami do të jetë përfaqësuesi i shqiptarisë në Evropian.
Bajrami e vazhdon traditën në Evropian
‘Euro 2012’ do të jetë Evropiani i tretë rresht, ku pjesëmarrës do të jenë edhe futbollistët shqiptarë. Kjo ‘histori’ nisi në vitin 2004, kur Milaim Rama ia bëri sefte me Zvicrën në evenimentin që u mbajt në Portugali.
Katër vjet më pas, në ‘Euro 2008’ pamë tre futbollistë shqiptarë. Valon Behrami e Blerim Xhemajli e përfaqësuan Zvicrën, kurse Roland Gërçaliu ishte pjesë e Austrisë në kompeticionin që u mbajt pikërisht në këto dy vende.
Ndërkaq, në ‘Euro 2012’, shqiptarët do të kenë arsye për ta mbështetur Suedinë, ku i përfaqëson ‘hasreti’ i tyre Emir Bajrami.