E Shtunë, 31 Tetor 2026

Favorizojnë Prishtinën

Në këtë fundjavë do të nisin garat e play-off-it në TechnoMarket Superligën e Kosovës në basketboll. Në gjysmëfinale Sigal Prishtina do të ballafaqohet me Pejën, kurse Trepça me Bashkimin.

Për të kaluar në finale, dy skuadra duhet të fitojnë në dy ndeshje ndaj ekipit kundërshtar, me çka nënkuptohet se më së shumti do të zhvillohen nga tri ndeshje gjysmëfinale ndërmjet këtyre çifteve.

Pra, nëse Sigal Prishtina dhe Trepça fitojnë në ndeshjen e parë dhe nëse humbin si mysafirë në ndeshjen e dytë ndaj Pejës, përkatësisht Bashkimit, atëherë takimin e tretë janë përcaktues për të depërtuar në finale dhe do ta zhvillojnë në cilësinë e nikoqirit.

Kurse për ta fituar titullin e kampionit, njëra nga skuadrat finaliste duhet fituar tri duele, derisa më së shumti do të zhvillohen pesë ndeshje për ta mësuar emrin e kampionit të ri.

Sikurse në gjysmëfinale, ashtu edhe në finale përparësi të terrenit do të ketë skuadra e cila garat e rregullta kampionale i ka përfunduar sa më lart në tabelë.

Sigal Prishtina kampionatin e rregullt e ka përfunduar duke u radhitur në vendin e parë, Trepça në të dytin, Bashkimi në të tretin, kurse Peja në të katërtin.

Megjithatë, përparësia e terrenit kësaj radhe më së paku do të ketë rëndësi për Trepçën, e cila të gjitha ndeshjet e play-off-it do t’i zhvillojë 30 kilometra larg Mitrovicës, pasi Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka dënuar këtë skuadër me gjashtë ndeshje moslojë në shtëpi, shkaku i ekseseve të ndodhura në ndeshjen finale për Kupë ndërmjet Trepçës e Sigal Prishtinës.

Andaj, njohësit e mirë të basketbollit kosovar pa dilema të mëdha favorizojnë Sigal Prishtinën për t’u stolisur me titullin e kampionit, edhe pse pak javë më parë Trepça e Bashkimi llogariteshin si rivalë të denjë të klubit kryeqytetas.

“Besoj se favorit i padiskutueshëm për t’u stolisur me titull është Prishtina. Më vështirë është të parashikohet se Trepça apo Bashkimi do të luajë në finale ndaj Prishtinës”, deklaroi për Express trajneri i njohur kosovar, aktualisht i lirë, Jeton Nixha.

“Megjithatë, unë mendoj se Trepça do të kalojë në finale,edhe pse nuk do të luajë në shtëpi. Mitrovicasit kanë ekip më stabil sesa Bashkimi, i cili ende nuk dihet se a do të udhëhiqet nga trajneri i deritanishëm apo jo, dhe prizrenasit kanë bërë ndryshime të shpeshta, të cilat mund të ndikojnë negativisht”, shtoi ai.

Në anën tjetër, edhe trajneri prizrenas, Naser Oskaçek, mendon se Sigal Prishtina do ta mbrojë titullin e kampionit.

“Unë e favorizoj Prishtinën për t’u stolisur me titullin e kampionit, pavarësisht me kë do të luajë në finale. Ndërsa Bashkimi mund të depërtojë në finale, sepse ka kapacitet dhe tani i janë shtuar shanset, sepse Trepça nuk do të luajë në Mitrovicë shkau i dënimit”, tha ish trajneri i Bashkimit.

Ndeshja e parë gjysmëfinale do të zhvillohet të shtunën në Bardhosh, prej orës 13:00 ndërmjet Trepçës e Bashkimit. Kurse ndeshja tjetër gjysmëfinale zhvillohet të dielën në kryeqytet nga ora 19:00 ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës.

Ndeshjet gjysmëfinale – play-off
E shtunë
Trepça – Bashkimi 13:00
E diel
S. Prishtina – Peja 19:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›