E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Çekia të liberalizojë vizat për shqiptarët

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kërkon që shteti çek të liberalizojë vizat me Shqipërinë. Këtë ia bëri dje të ditur kreu i shtetit, Bamir Topi, Presidentit të Senatit të Çekisë, Premysl Sobotka. Sipas Topit, "Çekia të vendosë një politikë më liberale mbi regjimin e vizave për shtetasit shqiptarë, duke filluar nga kategori të caktuara". Duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, Presidenti Topi u shpreh se "ndjekja e një politike më liberale mbi regjimin e vizave, si dhe vendosja e një linje direkte ajrore mes dy vendeve, do t'i intensifikonte më tej këto marrëdhënie". Bashkëbiseduesit shprehën interesin e përbashkët për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë për dy vendet, sidomos në aspektin e zhvillimit të ekonomisë, turizmit, shkëmbimeve tregtare etj.

Në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë, kryetari i shtetit theksoi rëndësinë që merr në këtë kontekst diplomacia parlamentare. Sipas tij, "shkëmbimet e ndërsjella të strukturave të ndryshme të dy parlamenteve do të shërbenin dhe për shkëmbim eksperience sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në kuadër të integrimit evropian". "Shqipëria e vlerëson shumë eksperiencën integruese të Çekisë në BE dhe e shikon me shumë interes mbështetjen e saj ndaj rrugës së proceseve integruese të Shqipërisë", - u shpreh kryetari i shtetit. Presidenti i Republikës u ndal edhe në disa prej zhvillimeve më kryesore në vend, ku vëmendje e posaçme iu kushtua ecurisë së reformave kushtetuese, zgjedhore dhe reformës në drejtësi, si faktorë të rëndësishëm në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë.

Çekia në tetor ratifikon “Shqipërinë në NATO”

Çekia do të ratifikojë brenda muajit tetor “Shqipërinë në NATO”. Presidenti i Senatit të Çekisë, Premysl Sobotka, siguroi dje Presidentin e Republikës, Bamir Topi, se "brenda muajit tetor senati i Çekisë do të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO". Kryetari i Senatit çek, Sobotka, i cili nisi një ditë më parë një vizitë zyrtare në Tiranë, u prit dje në një takim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në mjediset e Pallatit të Brigadave. Gjatë takimit, z. Sobotka e siguroi Presidentin Topi për mbështetjen e plotë të shtetit çek në drejtim të plotësimit të aspiratave integruese të vendit tonë. Ai shprehu gatishmërinë e Çekisë për të ofruar e ndarë së bashku ide, pikëpamje dhe përvojat integruese, si dhe për bashkëpunim të gjithanshëm, sidomos nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të niveleve më të larta dhe ato mes komisioneve reciproke parlamentare. Presidenti i Senatit të Çekisë, Sobotka, vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugën e reformimit të gjithanshëm dhe në kuadër të integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Topi takon Apostolikun e Selisë së Shenjtë

Presidenti Bamir Topi priti dje Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, nga ku vlerësoi se "bashkëjetesa fetare është një vlerë e paçmueshme e traditës dhe identitetit të shqiptarëve, që vlen të evidentohet dhe në kuadër të integrimit të vendit. Duke nënvizuar faktin se në Shqipëri besimet fetare bashkëjetojnë në harmoni e tolerancë midis tyre, Presidenti Topi e konsideroi të rëndësishme inkurajimin e dialogut dhe mirëkuptimit midis feve, si pjesë e dialogut midis qytetërimeve. Presidenti vlerësoi marrëdhëniet e hershme historike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe shprehu mirënjohjen e shqiptarëve për ndihmën që ka ofruar Selia e Shenjtë për ringjalljen shpirtërore, morale dhe edukative të popullit shqiptar. Nga ana e tij, Imzot Ramiro Moliner Ingles vlerësoi përparimet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues në strukturat euro-atlantike, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për rritjen e nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera ekzistuese mes dy vendeve. Ai inkurajoi bashkëpunimin në fusha të ndryshme, si arsimi, kujdesi shëndetësor, zhvillimi ekonomik etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›