E Diel, 1 Nëntor 2026

Dako: Programi IPA, mbështetje për zhvillimin e qytetit

Mbështetja e BE-së për Durrësin ka qenë tema kryesore e diskutuar në një konferencë të posaçme të organizuar në Durrës ku merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, drejtues të tjerë vendorë, ambasadori holandez, Henk van den Dool, përfaqësues të OJF-ve që merren me projekte të BE-së në Tiranë. Në këtë konferencë është diskutuar gjerësisht në lidhje me programin IPA, i cili ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar të vendeve të rajonit dhe i cili ka një fond prej 30 milionë eurosh për peridhën 2008-2010. 14.458 milionë euro të këtij programi do të përfitohen nga vendi ynë, ku një pjesë e tij do të përfitohet nga qyteti i Durrësit në formë projektesh të cilat do të paraqiten nga aktorët e ndryshëm në fund të këtij viti. Për të përfituar mbështetjen e këtij programi Bashkia e Durësit do të marrë të gjitha masat e duhura për krijimin e strukturave të posaçme që kanë të bëjnë me projektet që do të përfitohen nga BE-ja. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deklaroi për “standard” se “Durrësi është në rrugën e pandërprerë të zhvillimit të ndjeshëm dhe në këtë rrugë të tij ndihmon edhe programi IPA me mbështetje të konsiderueshme financiare për vendin tonë”. Në këtë moment kur Durrësi ka marrë presidencën e forumit të qyteteve të Adriatikut dhe Jonit, ka një vlerësim të ri të mbështetjes dhe bashkëpunimit midis territoreve dhe qyteteve. Është një reflektim që duket i përshtatshëm për t’u bërë, nën optikën e shumë dritave dhe disa hijeve që tashmë përvoja shumëvjeçare e programeve ndërkufitare ofron, dhe mbi të gjitha, në kuadër të një nisme të re të këtyre programeve, të cilat shikojnë në instrumentin e ri financiar IPA një organ të fuqishëm dhe novator të projektimeve të reja. Natyrisht, Bashkia e Durrësit në këtë këndvështrim po krijon edhe një përshtatshmëri me këtë realitet në formën e një reforme strukturore e cila do të ketë si rezultat edhe thithjen sa më efikase të projekteve të BE-së për qytetin tonë. Në axhendën tonë administrative janë disa sfida të cilat shkojnë njëkohësisht me projektet e reja që do të përfitohen në sajë të këtij programi, siç janë rikuperimi dhe vlerësimi i zonave të mëdha që janë interesante për peizazhet që ofrojnë ku administrata ime synon të zhvillojë edhe më tej mbrojtjen ekzistuese, edhe nëpërmjet projekteve të zhvillimit për një turizëm eko-kulturor dhe të qëndrueshëm, por është edhe aktiviteti ndërtimor i cili është shumë i zhvilluar në këto vitet e fundit e rajonin tonë, me rezultate jo gjithnjë të kënaqshme dhe të qëndrueshme, që përfaqëson një rast të mrekullueshëm eksperimentimi për praktika të reja projektuese dhe ndërhyrjeje, sipas parimeve të bio-ndërtimit dhe të eko-urbanistikës. Rëndësi e madhe i është dhënë edhe realizimit të instituteve të reja shkollore (tri shkolla të reja për katër vitet e ardhshme, me bashkëpunimin e Bankës Botërore), rrugëve të reja dhe të instrumenteve të reja jetësore për banorët. Sfidat e reja administrative kanë të bëjnë me realizimin e një projekti të ri për informatizimin e disa taksave urbane dhe transparencën e të gjitha aktiviteteve administrative të bashkisë me qytetarët dhe në bashkëpunim me IFC-në. Administrata që unë drejtoj është duke u përpjekur maksimalisht për ideimin e projekteve të qëndrueshme dhe për gjetjen e burimeve të nevojshme për realizimin e tyre. Midis tyre, dua të citoj dhe temën e rikualifikimit të Parkut Bregdetar, realizimin e Parkut Arkeologjik qendror, prej kohesh të promovuar nga Misioni Arkeologjik i Universitetit të Parmës, projekti i Parkut të Mureve bizantine dhe i pallatit të Mbretit Zog, në zbatim të planit të zonës qendrore të realizuar nga Universiteti i Peskarës, rikualifikimi i hapësirave publike të qendrës historike, dhe në veçanti të sheshit qendror të qytetit, nëpërmjet shpalljes së një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës etj.”

Ndërsa, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Henk van den Dool, deklaroi se deri tani janë bërë hapa të rëndësishëm të vendit tonë drejt BE-së, por më tepër duhet bërë ende dhe se ajo që duhet kuptuar, është që integrimi nuk ka të bëjë me qeveritë, por me njerëzit: “Misioni im dhe i politikanëve të tjerë të Evropës në Shqipëri është të ndihmojmë vendin tuaj në integrimin evropian dhe mund t’ju them se ky vend është në rrugën e duhur drejt BE-së, por megjithatë mbetet shumë për të bërë dhe sfidat përpara jush janë të mëdha. Pozitiv është fakti që ka një konsensus të gjerë në këtë vend për këtë integrim nga të gjitha krahët e politikës. Megjithatë, zgjerimi i BE-së nuk është një ide shumë popullore këto ditë, pasi mezi e gëlltitëm valën e fundit të zgjerimit. Gjithsesi, ju nuk duhet të dekurajoheni nga kjo, sepse në momentin që Shqipëria ndërmerr hapat e duhur dhe vazhdon këtë rrugë, atëherë do të jetë pjesë e BE-së. Ajo që dua t’ju këshilloj është që të ndërmerrni hapat tuaj dhe të ndiqni rrugën tuaj dhe jo duke kopjuar rrugën e vendeve të tjera si Maqedonia, Mali i Zi etj. Integrimi evropian nuk ka të bëjë me qeveritë, por me njerëzit dhe njohja me njëri-tjetrin, kalimi i kohës me njëri-tjetrin, ky është integrimi i vërtetë, por politikanët përpiqen të harrojnë këtë gjë. Ajo që duhet të bëjmë është të bindim njerëzit që integrimi është i rëndësishëm për ta. IPA është një program i rëndësishëm që i jep një mbështetje të madhe financiare Shqipërisë dhe unë jam i mendimit që të bëjmë së bashku projekte të vogla të suksesshme që do të përsëriten herë pas here, pra të bëjmë hapa të vegjël por të sigurt”. Programi IPA zbatohet në Itali, Greqi, Slloveni, Shqipëri, Kroaci, Serbi dhe Mali i Zi. Deri tani Shqipëria ka përfituar projekte nga tre programe, Shqipëri-Itali, Itali-Adriatik dhe CADSES që janë të përfshira në programin Interreg. Shqipëria përfiton vetëm nga 2 elementët e IPA-s (Instrumenti i Para-Aderimit/Instrument of Pre-accesion) dhe vetëm pasi të marrë statusin e vendit kandidat, mund të përfitojë nga komponenti i 3-ë, Zhvillimi Rajonal/Regional Development. Në bazë të IPA-s Shqipëria do të ketë mundësi të ketë mbështetjen e Kohezionit Ekonomik e Social për herë të parë e do të ketë nevojë të vërë në funksion skema granti për investimin që nxisin “masat” e Fondeve Strukturore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›