Durrës, KRRT-ja miraton 29 leje për ndërtim pallatesh në Zonën B
Vendimet e fundit të KRRT-së së bashkisë i kanë hapur “dritën jeshile” jo vetëm ndërtuesve, por edhe hapjes së afro 2800 vendeve të reja të punës në atë sektor. Gjatë ditëve të forumit të bashkive që lagen nga detet Adriatik dhe Jon, u gjetën hapësira kohe për të zhvilluar edhe disa seanca të mbledhjes së radhës të KRRT-së. Kanë qenë 29 vendime të miratuara për të ndërtuar pallate në lagje të ndryshme të Durrësit. Përjashtim ka bërë vetëm Zona A ku me ligj ndalohet ndërtimi i pallateve të reja. Sektori i ndërtimit në Durrës prej kohësh ndodhet i asfiksuar pasi lejet e ndërtimit janë lëshuar me pikatore.
Ku do të ndërtohet
Pallatet të cilat janë në proces ndërtimi, ndodhen në zonën e plazhit si dhe në Zonën B të qytetit të Durrësit. Janë rreth 17 pallate në plazh dhe 12 të tjerë brenda qytetit të cilët kanë krijuar punë për ndërtuesit, por edhe për punëtorët e këtij sektori si dhe për sektorë të tjerë që kanë lidhje të drejtpërdrejta me ndërtimin. Të tillë janë hekurkthyesit apo repartet e aluminit të cilët mezi po mbijetojnë, pasi nuk kanë fronte pune. Brenda qytetit gropat më të shumta ku po hidhen themelet e pallateve, gjenden në territorin i cili shtrihet pas parkut sportiv e që lidhet me rrugën që të shpie te ish-uzina e prodhimit të televizorëve e që përfundon në rrugën e Spitallës.
Kishte kohë që KRRT-ja nuk kishte dhënë kaq shumë leje ndërtimi në një mbledhje të vetme të zhvilluar me 2 seanca. Ndërtuesit tashmë që e kanë mbledhur mendjen se në Zonën A nuk ndërtojnë dot, e kanë hedhur vështrimin në pjesën tjetër të Durrësit. Pothuajse të gjitha pallatet do të ngrihen mbi banesa të vjetra 1 apo 2-katëshe. Pallatet e reja do të jenë të lartës nga 7 deri 10 kate.
Presioni që ka pasur nga ndërtuesit duket se e ka detyruar KRRT-në ta lëshojë dorën, edhe pse ende nuk ka përfunduar studimi urban i Zonës B i cili po kryhet nga Banka Botërore. Në këtë mbledhje KRRT-ja pajisi me leje ndërtimi edhe firmën që po ndërton në truallin e ish-kryeministrit Idhomen Kosturi, i cili u vra nga njësiti gueril i Durrësit gjatë Luftës II Botërore. Punimet për këtë objekt kishin nisur dy muaj më parë, fill pas lëshimit të lejes së sheshit të ndërtimit nga KRRT-ja.
Zona A, “molla e ndalueme”
Zona A mbetet akoma “molla e ndalueme” për ndërtuesit durrsakë. Nisur nga kjo, kanë skaduar afatet për rreth 60 leje sheshesh ndërtimi të cilat ishin lëshuar përpara se KRRTRSH-ja të miratonte studimin urban të Zonës A, e cila përfshin qendrën e Durrësit. Tashmë ndërtuesit edhe banorët nuk po gjejnë modalitetet për të mbyllur pazaret e vjetra mes tyre, pasi në këtë pjesë nuk do të ketë ndërtime. Disa prej tyre patën avancuar dhe patën nisur hapjen e gropave të themeleve, të tjerë prishën lokale si dhe shkulën pemë dekorative për t’i hapur rrugë ndërtimit. Por tashmë afatet e shesheve kanë skaduar dhe lejet për të ndërtuar në këtë pjesë duken të pamundura. Në bashki ende nuk kanë menduar se çfarë do të bëhet me gropat e hapura apo me sheshet e rrethuara me llamarina të cilat kanë dëmtuar mjedisin publik. Bëhet fjalë për qendrën e Durrësit, e cila shtrihet në territorin që kufizohet me kullat binjake, Muzeun Arkeologjik, parkun sportiv dhe zyrat e hipotekës.