Shënojnë rënie bursat në Azi dhe Evropë
Indekset e bursave evropiane kanë rënë ndjeshëm gjatë shkëmbimeve të mesditës së djeshme duke pasuar rënien e tregjeve të Azisë dhe Paqësorit. Edhe çmimet e naftës bruto janë në rënie, megjithë vendimin e OPEC-ut, javën e kaluar, për uljen e kuotave të prodhimit.
CAC-40 i Parisit, ka rënë 5%, indeksi DAX i Frankfurtit, ka rënë më shumë se 3% dhe indeksi i Financial Times 100 i Londrës, rreth 4%.
Çmimi i naftës bruto për fuçi ra nën 60 dollarë sot në tregun e Londrës, gjë që dëshmon për mundësinë e ndikimit të stanjacionit global mbi kërkesat për energji.
Shqetësimet e investitorëve për ngadalësimin e mëtejshëm të ritmit të ekonomisë nëpër botë janë shtuar, duke mos i lënë hapësirë të madhe ndikimi, masave të qeverive për të nxitur rritjen.
Indeksi Nikkei i bursës së Japonisë u mbyll në nivelin më të ulët në 26 vjet, megjithë masat që shpalli qeveria për të mbështetur tregun e aksioneve
Ministri japonez i Financave, Shoiki Nakagava, tha se qeveria është gati të marrë masa për stabilizimin e jenit, pasi ministrat e financave të G-7-ës dhe guvernatorët e bankave qendrore, lëshuan një deklaratë, në të cilën thuhet se, ngritja e ndjeshme e vlerës së jenit, kërcënon stabilitetin financiar dhe ekonomik botëror.