Fazlliç. Berisha mocion debati në Kuvend

Opozita ka rimarrë çështjen e mocionit për debat me Kryeministrin për çështjen “Fazlliç”, duke i kërkuar Kryetares së Kuvendit futjen e saj sa më shpejt në rendin e ditës.
Kërkesa është bërë nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Sipas Braçes, Berisha duhet të flasë për çështjen, pasi ende nuk u është përgjigjur akuzave.
“Në Parlament, nuk ka ndodhur ajo që parashikon Rregullorja në nenin 98. Berisha na u betua se do të ishte seanca më transparente, por prej asaj dite, Berisha nuk është dukur më, përkundrazi është fshehur.
Berisha është shumë i përfshirë në këtë çështje dhe ne e duam në debat. Ai duhet të vijë të tregojë përgjegjësinë e tij”, është shprehur Braçe në fjalën e tij. Nga ana tjetër, burime pranë PD-së kanë sqaruar se kreu i qeverisë sot në Kuvend do të flas për disa dosje të ish- ministrave të qeverisë socialiste.
Reagimi i PD-së
Megjithëse sot pritet të kalojë në Kuvend mocioni për debat mes Kryeministrit Berisha dhe opozitës, PD ka tentuar ta fokusojë vëmendjen diku tjetër. Partia Demokratike akuzoi të dielën kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili për interesa personale po pengon miratimin e ligjit të dosjeve.
Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha se "në bllokimin e ligjit të dosjeve ka arsye personale".
Ai theksoi se "zëdhënësi Balla deklaroi në media se PS është për hapjen e dosjeve, por për të lejuar që personat që kanë dosje të kandidojnë dhe të zgjidhen".
Sipas tij, prapa kësaj deklarate fshihet vendimi i Edi Ramës për të lejuar kandidimin e tij, pavarësisht nga problemet madhore, që ka me të kaluarën.
Ai u shpreh se, "pasi e mban peng prej më se 6 muajve ligjin për ‘Pastërtinë e figurës zyrtare’, ose siç njihet ‘Ligjin e dosjeve", ai kërkon që, pavarësisht nga problemet e rënda që mund të ketë në të shkuarën e tij, të mund të kandidojë".
Bumçi tha se "Partia Demokratike i deklaron zotit Rama se me ligjin për "Pastërtinë e figurës zyrtarëve të lartë", nuk synon asnjë emër të përveçëm.