Hetuesit e Gërdecit, në zyrën e Berishës

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën “Shqip”, se oficerët e policisë kanë përgatitur aktet e sekuestrimit për çdo dokumentacion që ka lidhje me bazën ligjore të dosjes “Gërdeci”.
Gjithashtu, pritet të sekuestrohen edhe oponencat e disa anëtarëve të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e dhënies së lejes për firmat private që kryen demontimin e municioneve.
Debatet apo propozimet në mbledhjen e qeverisë që miratoi “ligjin” për demontimin e municioneve, do të jenë objekt verifikimi nga oficerët e policisë gjyqësore.
Sekuestrimi i dokumenteve
Krahas sekuestrimit të dokumenteve për mbledhjen e qeverisë që miratoi “Gërdecin”, grupi hetimor do t’i kërkojë administratës së Këshillit të Ministrave edhe veprimtarinë e Enkelejd Alibeajt, gjatë kohës që punonte si vartës i Berishës në zyrën antikorrupsion.
Burimet nga akuza thanë se janë sekuestruar letërkëmbimet e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me këshilltarin e Mediut, Plarent Ruka.
Sipas burimeve nga akuza, janë sekuestruar të gjitha shkresat dhe korrespodencat e mbajtura mes këtyre dy institucioneve, nga dhjetori 2006 deri në fillim të marsit 2007.
Gjithashtu, u thirr dhe u mor në pyetje ish-këshilltari i Fatmir Mediut, shtetasi Plarent Ruko, të cilit, gjatë kohës që po merrej në pyetje, i është komunikuar urdhri për sekuestrimin e letërkëmbimit me Alibeajn.
Ish-këshilltari Ruko ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me takimet e bëra mes tij dhe ish-drejtuesit të auditit në Kryeministri, Alibeaj.
"Takimet janë zhvilluar brenda në Kryeministri, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në lokalet e qendrës së kryeqytetit, ndërsa sa u përket letërkëmbimeve, ato kanë filluar nga dhjetori i vitit 2006 dhe janë shpeshtuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007", thanë burimet nga prokuroria.
Në lidhje me takimet e Alibeajt me Rukon, hetuesit pritet të kërkojnë edhe prova nga Kryeministria për takimet e mundshme, si dhe për bisedat që janë kryer.
Për të konfirmuar takimet, sipas hetuesve, është vetëm një provë: kamerat e sigurisë, të instaluara në Kryeministri.
Këto takime dhe biseda mësohet se janë kryer në kohën kur kompania amerikane "Southern Ammunition Company" (SAC) kishte hyrë në negociata dhe kërkonte kryerjen e demontimit të municioneve të lehta, ku Ministria e Mbrojtjes ishte gati t‘i ofronte këtë punë me prokurim të drejtpërdrejtë.
Asistenca e Alibeajt
Mungesa e bazës ligjore për të kryer këtë punë të kërkuar nga SAC-i, bëri që Ministria e Mbrojtjes të kërkojë asistencë, apo ndihmë juridike nga drejtuesi i auditit në Kryeministri, Enkelejd Alibeaj.
Sipas prokurorisë, në letërkëmbimet mes tyre bëhet fjalë për mënyrën se si Ministria e Mbrojtjes, si pjesë e qeverisë shqiptare, duhej të lejonte nisjen e aktivitetit të SAC-it për demontim, që më pas do të niste bashkëpunimin me kompaninë shqiptare “Albademil" e drejtuar nga Mihal Delijorgji, biznesmeni tashmë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit.
Sipas referimit të Alibeajt, dërguar ish-këshilltarit juridik të Ministrisë së Mbrojtjes, Ruko, që më pas rezultoi në pikën tre të vendimit të Këshillit të Ministrave me Nr. 138, të datës 14 mars 2007, ku autorizohej Ministria e Mbrojtjes që "të nxjerrë udhëzimin e hollësishëm përkatës, për kriteret teknike dhe procedurat e asgjësimit, ose çmontimit a tjetërsimit të armëve e të teknikës së Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi", që realisht nga ish-ministri Mediu nuk u nxorën udhëzimet e hollësishme dhe të detajuara në lidhje me llojin e municioneve që duhej të çmontoheshin.