Fazlliç: Opozita shqiptare po kërkon rrëzimin tim nga froni
Kur në Kroaci ka filluar hetimi për aksidentin e avionit të Damir Fazlliç, ky i fundit nuk ka nguruar ta politizojë ngjarjen, duke mos kursyer akuzat ndaj opozitës. Nëpërmjet avokatit Genc Gjineci, biznesmeni Fazlliç ka thënë: “është shumë interesante të shikosh se të ashtuquajturit udhëheqës të së ashtuquajturës opozitë në Shqipëri gjejnë kohë për të vonuar procesin e liberalizimit të vizave, duke ndaluar proceset normale parlamentare dhe duke shantazhuar biznesmenë të ndryshëm për licenca ndërtimi për të instruktuar buratinët e tyre në media, me qëllim për të parë rënien time. Përfitoj nga kjo mundësi për t’i falënderuar për interesimin e tyre për shëndetin dhe mirëqenien time dhe t’i informoj se që të dy janë të pacenuar”. Mediat serbe njoftojnë se Fazlliç po vazhdon pushimet e tij në jahtin “Nina”.
Po sipas tyre, inspektori i Drejtorisë së Kontrollit Ajror, Dinko Vodanoviç, ka këqyrur vendin e ngjarjes dhe priten rezultatet e para të hetimeve rreth mënyrës së aksidentit.
Ngjarja ndodhi të enjten, kur në aeroportin “Brachko” në zonën e ishujve kroatë avioni me të cilin udhëtonte Fazlliç mori flakë pasi doli nga pista. Mediat raportuan se Damir Fazlliç udhëtonte me avionin që drejtohej nga gazetari dhe piloti serb, Zoran Modli nga Beogradi, dhe ndihmësi i tij Millosh Stanojeviç, ndërsa ishte në avion edhe stjuardesa Senka Vukelliç.
Ekuipazhi i avionit ka dhënë dëshmi në polici rreth aksidentit. Avioni ka qenë i kompanisë serbe, “Princ Aviation”. Mediat në gjuhët serbo-kroate kanë përmendur se Fazlliç është i afërt, madje edhe këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha dhe i afërt me të bijën e Kryeministrit, ndërkaq ata kanë kujtuar se në Bosnjë ka qenë i dyshuar për mashtrime lidhur me privatizimin e dy fabrikave të duhanit. Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës e ka pasur në hetim, ndërsa është pyetur edhe lidhur me vrasjen e Kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç.
#