Thaçi: Faza e pavarësisë së mbikëqyrur po mbaron
Faza e pavarësisë së mbikëqyrur po mbaron dhe tani po hapet etapa e re, ajo e perspektivës euroatlantike të Kosovës. Kështu deklaron kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi në një intervistë për “Top Channel”. Ai thotë se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të hapë perspektiva të reja për Kosovën dhe mohon kategorikisht çdo ide për ndryshim kufijsh, shkëmbim territoresh a ridiskutim statusi të zonave të veçanta të vendit. Thaçi shpreson se shumë shpejt shteti i ri do të hyjë në hullitë e integrimit euroatlantik dhe se tani është e rëndësishme vendosja e ligjit, duke shtrirë autoritetin në gjithë territorin dhe duke luftuar çdo fenomen negativ.
Zoti kryeministër! Kosova ndodhet në prag të një vendimi, mund të themi më i rëndësishmi në rrafshin ndërkombëtar, që pas shpalljes së pavarësisë: opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pavarësisht se është një opinion thjesht këshillëdhënës, sa do të ndikojë në të ardhmen e Kosovës dhe si mendoni se do të jetë?
Ne jemi duke e pritur me padurim opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare. është një opinion që do të prezantohet në datën 22, deri tani kjo është data e konfirmuar. Jemi duke e pritur me padurim, si institucionet e Kosovës, si qytetarët e Kosovës, sepse presim hapjen e një faze të re, fazën e konsolidimit dhe forcimit të shtetit, të njohjeve të reja, fazën e fuqizimit të perspektivës sonë për në NATO, Bashkimin Europian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ky opinion nuk është ndonjë vendim, por është një prezantim opinion këshillues për angazhimet dhe vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës që kanë qenë plotësisht në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare, me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, me vullnetin e qytetarëve të vendit për shtet të pavarur dhe sovran. Sot Kosova është shtet i pavarur, sovran, i njohur nga 69 shtete, anëtare e Bankës Botërore, e Fondit Monetar Ndërkombëtar, pra është pjesë e familjes euro-atlantike.
Nëse do të jetë një vendim jo fort i favorshëm, sa do të ndikojë ky vendim tek ato vende që kanë dashur ta njohin Kosovën, por që po presin se si do të shprehet GJND-ja?
Opinioni do të jetë, dhe ne duam të besojmë se do të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe vendimet e institucioneve të Kosovës për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. E përmenda, do të hapet një fazë e re, një fazë e angazhimeve dhe relacioneve të shtetit të Kosovës me shtetin e Serbisë, angazhimeve për çështje praktike që janë në interes të të dy vendeve dhe dy popujve tanë. Ne do të angazhohemi maksimalisht që të jemi bashkëpunues në këtë drejtim, me mbështetjen dhe fasilitimin e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian e të NATO-s, në mënyrë që të përmbyllim çështjet e hapura, që kanë mbetur mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë. Këto çështje praktike mund të jenë qoftë për të diskutuar për ujin, qoftë për energjinë, njerëzit e zhdukur, në të njëjtën kohë për transportin, luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, fenomene në nivel rajoni, për të diskutuar edhe çështjet e standardeve euro-atlantike apo standardeve demokratike, të nevojshme për të dy vendet tona, që të jemi sa më në parë që është e mundur, pjesë e familjes evropiane.
Le të ndalemi pak te lufta kundër korrupsionit dhe t’ju bëj një pyetje që ju e prisni dhe që e kam të pashmangshme. Lidhur me hetimet e Euleksit, ju në fjalimin drejtuar popullit pak kohë më parë, deklaruat se “nëse dyshimet aktuale do të dëshmojnë se janë bërë keqpërdorime, ne do të ndërmarrim masa të menjëhershme”. A priten arrestime z.Thaçi?
Duhet bërë dallimi mes politikës dhe drejtësisë. Janë angazhime këto, të ndara. Institucionet e Kosovës kanë obligim dhe po u japin mbështetje të plotë organeve të drejtësisë, duke mos pretenduar asnjëherë në asnjë rrethanë të interferojnë, as ajo vendore, as politika ndërkombëtare. Në këtë drejtim do të vazhdojmë të jemi të pakompromis, në luftë kundër dukurive negative, kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar, me moton zero-tolerancë ndaj fenomeneve negative. Ne kemi besim të plotë tek organet e drejtësisë. Do të jetë një angazhim jo i lehtë, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar, për fat të keq është heshtur apo toleruar në një formë apo tjetrën, tash e 11 vite. Pra do të fillohet me një angazhim serioz, të përgjegjshëm shtetëror, me mbështetjen e ndërkombëtareve që nga 10 qershori i vitit ’99. Unë kam iniciuar edhe ligjin anti-mafia, që do të jetë gjithashtu një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm në plotësimin e luftës që e kemi filluar e që nuk do të përfundojë shpejt, por do të jetë e suksesshme. Në kët drejtim i kam garantuar qytetarët e Kosovës dhe gjithë partnerët ndërkombëtarë se do të vazhdoj të jem i pakompromis.
çfarë ndodh nëse do të ketë arrestime në rang të lartë, p.sh siç dëshmuam pak ditë më parë, apo në të kundërtën, nëse Euleksi del se ka gabuar duke hapur hetim?
Unë mendoj, që përgjegjësia është individuale. Nuk ka rang të ulët apo të mesëm, apo të lartë në raport me shkeljen e ligjit. Të gjithë janë të barabartë para ligjit.
Le të shkojmë në veri të vendit, edhe kjo një çështje e nxehtë. Po i referohem sërish fjalimit tuaj. Keni folur për forma të reja bashkëpunimi, më lejoni t’ju citoj saktësisht: “Mund të gjejmë forma të reja bashkëpunimi, që njohin natyrën e veçantë rajonale të Kosovës Veriore”. Ndërkohë që kam parasysh dhe çfarë është shkruar në shtypin europian, ku burime që citojnë diplomatë të BE-së flasin për një lloj zgjidhjeje speciale për veriun e Mitrovicës. çfarë domethënë kjo, formë e re apo zgjidhje speciale?
Nuk do të diskutohet për statusin e veriut të Mitrovicës, sepse veriu i Mitrovicës është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës. Pra do të punohet me dokumentet e Presidentit Ahtisaari, në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i pacenueshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht. Nuk do të ketë në asnjë rrethanë ndarje. Nuk do të ketë në asnjë rrethanë shkëmbim territoresh. Nuk do të ketë në asnjë rrethanë autonomi apo statuse speciale. Por do të ketë një trajtim të veçantë për komunitetin serb, në kuptimin më afirmativ të mundshëm.
Më konkretisht, zoti kryeministër?
Pra trajtim të veçantë po, status të veçantë jo!
Po në lidhje me funksionalizimin e plotë të gjykatës në veri të Mitrovicës, si do të veproni, në mënyrë që të mos përsëriten tensionet që shoqëruan hapjen e zyrës së qeverisë së Kosovës?
Ne sapo hapëm Zyrën e Republikës së Kosovës në veri të Mitrovicës. Kjo zyrë është duke u shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ndjehem mirë që atje, autoritetet kosovarë janë duke u shërbyer edhe shqiptarëve edhe serbëve dhe të gjitha komuniteteve, apo gjithë qytetarëve që jetojnë atje. Nuk është e drejtuar kundër askujt. është në shërbim të të gjithëve. Së shpejti do të hapet edhe gjykata, dhe do të jetë natyrisht në shërbim të drejtësisë. Në këtë drejtim kemi punuar në kuptimin edhe logjistik, edhe operativ, edhe profesional, edhe të sigurisë, dhe mendoj se shumë shpejt do të jemi funksionalë.
A mund t’i quajmë këto, gurë kilometrikë drejt fundit të pavarësisë së mbikëqyrur, siç keni paralajmëruar ju?
Definitivisht, pavarësia e mbikëqyrur për Kosovën, pra ky proces është duke u përmbyllur dhe jemi duke hapur fazën e re, etapën e re, atë të perspektivës euroatlantike dhe me prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Pasi edhe e kemi implementuar dokumentin e presidentit Ahtisaari mbi 85%, mund të them se kapitulli i pavarësisë së mbikëqyrur po përmbyllet suksesshëm në Kosovë dhe po hapim fazën e re, atë të integrimeve të Republikës së Kosovës në NATO dhe Bashkimin Europian. Natyrisht që janë fazat paraprake, qoftë ajo për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave që e presim në fund të verës nga Komisioni Europian, qoftë për procesin e Partneritetit për Paqen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e presim gjithashtu të lëvizë shumë shpejt.
Bisedoi: Erina Matraxhiu
#