Vlorë, ekzekutohet biznesmeni i ndërtimit
Një biznesmen vlonjat është ekzekutuar me shtatë plumba në të gdhirë të ditës së djeshme, duke rikthyer pasigurinë në qytetin bregdetar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur 37-vjeçari Kaçadon Shehu është qëlluar me shtatë plumba pistolete, dy prej të cilëve e kanë kapur në kokë.
Autorët e këtij krimi janë larguar nga vendi i ngjarjes pa u pikasur nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë për çka ndodhi. Banorët kanë deklaruar se kanë dëgjuar disa krisma, por errësira totale, si dhe vendi pak i fshehur ku ka ndodhur krimi, ka vënë në vështirësi gjetjen e viktimës.
Vetëm pas 40 minutash, policia ka mundur të pikasë trupin e pajetë të 37-vjeçarit që dergjej pak metra para derës së garazhit të tij. Më pas trupi pa jetë është dërguar në morgun e spitalit të qytetit bregdetar, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Nga kjo e fundit ka rezultuar se 37-vjeçari është qëlluar shtatë herë me pistoletë dhe dy prej plumbave e kanë kapur në kokë, ndërsa pesë në trup.
Ka qenë ora 01:30 e së premtes kur Kaçadon Shehu, lindur në fshatin Gumenicë e banues në Vlorë, kthehej për në banesë. Ai ka futur makinën në garazh dhe kur ka provuar të mbyllë derën e garazhit me pult, qepeni nuk është ulur. Kjo e ka detyruar 37-vjeçarin t’i afrohej qepenit për ta mbyllur me krahë, por në këtë kohë është qëlluar disa herë nga persona ende të paidentifikuar. Sipas ekspertëve të kriminalistikës, ekziston mundësia që autorët ta kenë llogaritur mirë vrasjen e 37-vjeçarit, duke prishur më parë derën e garazhit, gjë që do ta detyronte 37-vjeçarin të mbyllte vetë qepenin.
Pistat e hetimitSipas policisë lokale, nuk ka një variant zyrtar për ngjarjen. Për momentin po punohet në disa pista, ndër të cilat janë mundësia e konflikteve me ortakët në ndërtime pallatesh në zonën e plazhit të vjetër, disa grindje të vjetra me persona të tjerë për shkak se 37-vjeçari ka qenë tip “impulsiv”, larje hesapesh, çështje pronësie etj.
Burime zyrtare nga policia konfirmuan se 37-vjeçari njihej si person me precedentë penalë dhe pak kohë më parë ishte arrestuar si i dyshuar për vjedhje automjeti. Mbasi ka qëndruar disa muaj në dhomat e paraburgimit, ai është lënë i lirë. Policia po vijon hetimin, ndërsa janë marrë në pyetje të afërm të tij, bashkëpunëtorë të viktimës, banor të zonës ku ka ndodhur ngjarja, të njohur të 37-vjeçarit, për të hedhur dritë të mëtejshme mbi pistat e hetimit për zbulimin, identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit.
Deri në orët e pasdites së djeshme janë shoqëruar për në komisariat rreth 12 persona, por pasi janë pyetur, janë lënë të lirë. Mësohet se disa prej tyre do të rimerren në pyetje në orët në vazhdim për ngjarjen e rëndë.
#