FeRiDe-ja tund belin majtas

Bamir Topi brakisi mbrëmë ligjërimin ekstremist për të djathtën, pronarët e të përndjekurit dhe shpalli Polin e Qendrës së Moderuar, duke i hapur rrugën vetes për futjen nën çadrën e së majtës, përpara zgjedhjeve të ardhshme
Bamir Topi, kryetari i FeRiDe-së, partisë më të re “të mbirë si kërpudha pas shiut” në skenën e politikës shqiptare, deklaroi dje zhvendosjen e tij majtas.
“Do të krijojmë polin e qendrës së moderuar”, u shpreh Bamir Topi dje, në studion e një televizioni.
Deri para ditës së djeshme, ai e kishte shitur veten por edhe FeRiDe-në e tij, si parti të djathtë, duke i varur vetes spaletat e përfaqësimit të të përndjekurve të tipit të Skënder Tufës, apo edh pronarët, të tipit të vetë. Normalisht, përfaqësimi i vetes dhe Skënder Tufës, duhet ta vendoste djathtas, jo deri në ekstrem, por aty afër.
Por dje Bamir Topi bëri lëvizjen e parë “hap majtas”, duke u zhvendosur në qendër. Me këtë ritëm edhe një “hap majtas” tjetër i duhet dhe hop në prehrin e PS-së së Edi Ramës.
Me daljen e tij publike dje, Bamir Topi, për më tepër me ligjërimin e tij, ju përcolli mesazhin mbështetësve të vetë, se “syri i qan për majtas”.
Nuk dihet si do ta presë Skënder Tufa një gjë të tillë, por që Bamir Topi, i hapi rrugën FeRiDe-së së tij për futjen nën çadrën e së majtës, kjo është e sigurt, sepse vetë u artikulua prej tij dje.