Federata PS-PSD, si një sipërmarrje e destinuar të shkojë drejt falimentit
Partia Socialiste vazhdon të hedhë hapa regresistë të njëpasnjëshëm, derisa është fare pranë shkrirja me partinë e drejtuar nga një xhaketë e vjetër e politikës shqiptare, ish-ministër i diktaturës komuniste, Skënder Gjinushi. Pretendimet e Edvinit se është një mbartës i një politike të re dhe pastër, thënie këto për të manipuluar popullsinë në vend, e që mund të konsiderohen nisma të dështuara tashmë, për faktin e vetëm se ai po i rikthehet së vjetrës. E vjetra qëndron në bashkëpunimin që ai po përpiqet të lidhë me PSD-në, bashkëpunim që do të thotë shkrirje të PS dhe PSD-së, në formë federate. Ka qenë një takim deri në orët e vona të së premtes ndërmjet Edvinit dhe Gjinushit, që vendosën se dy partitë që drejtohen nga ata, të krijojnë federatë, ç’ka do të thotë se të dyja këto parti do të humbin identitetin e tyre. Kësisoj, një takim ndërmjet dy ekstremistëve fatalë të politikës shqiptare dhe një vendim i marrë në fshehtësi totale, po bën të mundur nxjerrjen në shesh të një rrotullnaje të tipit Edviniste dhe nga pas që po i kacavirret teologu i konfliktit, Skënder Gjinushi i etur për pakëz karrigeje pushteti, sigurisht nostalgji kjo që nga koha e mbrapshtë e Shqipërisë, që i takon asaj të diktaturës së egër komuniste. Në sajë të mangësive ideore dhe mundësive të pakta programore për zhvillimin e një politike lineare dhe progresiste, Edvini i braktisur edhe nga Meta së fundi, po mendon themelimin e federatës titiste dhe me Gjinushin në rolin ideologut politik të dështuar, megjithëse është efektiv në rolin e ndërtimit të formulava të destablitetit dhe të konfliktit politik. Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi është parë të hyjë dje pasdite në selinë e PS-së, ku është pritur nga kryetari Edi Rama dhe një grup anëtarësh të kryesisë së kësaj partie. Burimet bënë të ditur se qëllimi i takimit ishte jo vetëm diskutimi i situatës politike më të fundit brenda gjirit të koalicionit opozitar, por edhe gjetja e një taktike të re, në mënyrë që partitë e opozitës të jenë sa më të përgatitura për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Qëllimi kryesor, sipas të njëjtave burime, ishte hedhja e hapave për konkretizimin e idesë së vjetër të dy partive të majta, pra bashkimi i tyre në një federatë të majtë. Në këtë takim është caktuar një grup pune i përbërë nga kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj dhe deputetët Pandeli Majko dhe Arben Malaj, të cilët do të merren edhe me hartimin e një platforme, mbi bazën e të cilës do të flitet edhe për këtë bashkim. Ende nuk është saktësuar me detaje se cila do të jetë forma konkrete e këtij bashkimi, por detaji më i rëndësishëm që rrjedh është ai se kjo federatë ende në formim e sipër, synon të rivalizojë në mënyrë të hapur koalicionin e “Majta për Integrim”, e Ilir Metës dhe ngritjen në hierarki të Edvinit e Gjinushit të cilëve të ideja e të qënurit në pushtet, u nxjerr edhe gjumin e natës. Gjithsesi, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi po përpiqet që me anë të formulave të tij dashakeqe të destabilizojë harmoninë politike në vend dhe me ç’do mënyrë të ndërpresë rrjedhën pozitive të vendit drejt aspiratave integruese në NATO dhe BE. Pikërisht ky njeri i politikës që e mban veten si i pari ideator në vend, madje edhe për krijimin e kësaj federate mburret se ka qenë ai që ka hedhur idenë i pari. Megjithëse, kundërshtimet brenda PS-së janë evidente për këtë që po bën Edvini në Partinë Socialiste, menjëherë del në mbrojtje Gjinushi i yshtur nga interesat e tij meskine. Ideja e federatës duket se erdhi në vëmendje të dy mbështetësve të saj, Ramës e Gjinushit, pikërisht pak ditë pas shkëputjes së LSI-së nga koalicioni. Vetë Meta e ka kundërshtuar me forcë bashkimin në një federatë, rreth një vit më parë, duke e quajtur atë një “ide të vjetër dhe jorealiste”. Ndërkohë që po një vit më parë, vetë Rama, i ftuar në kongresin e Partisë aleate, Aleanca Demokratike u shpreh se “ka ardhur koha për një konfederatë të majtë”. Por brenda PS-së, socialisti i vjetër, Servet Pëllumbi e ka kundërshtuar idenë e federatës. Ndërkohë, i pyetur në lidhje me takimin e pasdites të së premtes, kreu i PSD-së, Gjinushi nuk e ka mohuar diskutimin për krijimin e federatës, por as ka pohuar. Sipas tij, është diskutuar në lidhje me marrëdhëniet mes dy partive, situatën e fundit politike, dhe për bashkëpunimin. Gjatë takimit, kreu i PSD-së, Gjinushi dhe ai i PS-së kanë gjetur mes tyre mendime të përbashkëta për reformën zgjedhore e duke thurur plane në ekuivalentim me qëndrimet e LSI-së dhe për mundësinë e nxjerrjes së kësaj partie së bashku me koalicionin e “Majta për Integrim”, jashtë loje pa arritur në zgjedhjet e 2009-ës. Dy kryetarët e partive të majta kanë rënë dakord që të rakordojnë qëndrimet e tyre në lidhje me reformën zgjedhore, pavarësisht se Gjinushi është pjesë e tryezës së përbashkët të partive të vogla parlamentare, të cilat kundërshtojnë qëndrimin e dy partive të mëdha në këtë pikë. Kësisoj, me synimin që të ti bëjnë ballë fragmentimeve të krijuara nga LSI-ja, Edvini dhe Gjinushi po mendojnë shpalljen e mësymjes ndaj Metës dhe mbështetësve të tij, megjithëse këta të fundit deklarojnë se zotërojnë numër të më madh votash se binomi PS dhe PSD. Përsa u takon ftesave të dërguara nga Rama në drejtim të Metës, ky i fundit është kundërpërgjigjur se për problemet e këtyre ftesave që vijnë nga ana e përfaqësuesve të lidershipit të Partisë Socialiste “unë mendoj se dita e sotme nuk na lejon që të merremi me politika të tilla, por është një ditë ku urimi për 8 Marsin i shkon të gjithë shqiptarëve, sikurse i shkon edhe Kryetarit të Partisë Socialiste”. Ndërkaq, bashkëpunimi i Ramës me Gjinushin, në një farë mënyre çon edhe në marrjen fund të elementit të politikës së re, që Edvini po demonstron nëpër fshatrat e Shqipërisë, pasi ai po bashkëpunon dhe po merr këshilla nga një xhaketë e vjetër e politikës shqiptare, si Skënder Gjinushi, ish-ministër i diktaturës komuniste.
Re. Po