E Diel, 1 Nëntor 2026

Graria socialiste në PS - kamuflazh i drejtimit autoritarist nga Edvini

Ashtu si dhe pritej, Kryetari i PS-së, shfrytëzoi dje festën e 8 marsit, për të promovuar të ashtuquajturën politikë të barazisë gjinore në selinë rozë. Duke theksuar rritjen
e rolit të gruas në politikë, tha se PS do të propozojë masa konkrete edhe në procesin e strukturimit të sistemit të ri zgjedhor. “Nuk mundet dot ne të bëjmë hapat e domosdoshëm përpara dhe të realizojmë aspiratat e shqiptarëve dhe shqiptarëve, nëse nuk i japim grave dhe vajzave vendin dhe rolin, që u takon dhe nëse nuk krijojmë një shoqëri ku barazia gjinore të jetë një standard”, tha ai. Duke u shprehur për një vend sa më të gjerë të grave në PSSH, Rama, tha se listat e renditura janë një avantazh i madh në këtë drejtim, pasi është një mundësi, që edhe nëpërmjet masave afirmative në Kodin Zgjedhor, të krijohen kushte për të pasur një Kuvendi të ri të Shqipërisë, me një raport shumë më të arsyeshëm gjinor. “Nga ana tjetër më lejoni t’ju them se është një debat i një niveli shumë të ulët, debati, që i konsideron listat e hapura në thonjëza më demokratike se listat e mbyllura, në thonjëza, pasi këtu nuk bëhet fjalë për lista më demokratike apo më pak demokratike, por për një metodologji, e cila është një metodologji e sistemit zgjedhor në shumë vende të BE. Kjo mjafton për ta asgjësuar këtë debat të kotë dhe abuziv”, shtoi ai. Përsa i takon ndarjes në të majtën, Rama tha se “duhet të përqëndrohemi tek fakti, se në kontekstin e një bashkimi të ri, që PSSH po e kërkon dhe po e jetëson dita-ditës me shqiptarët përtej të majtës dhe të djathtës”. Sipas tij, PS po syno t’i japë një jetë dhe një barazie të re gjinore në strukturat e larta dhe institucionale të shtetit shqiptar duke e kthyer edhe atë vetëdije, që tanimë është e jetësuar në PSSH, ku gratë dhe vajzat kanë një përfaqësim të garantuar, që mbërrin deri në 50 % në Asamblenë Kombëtare, në një vetëdije të të gjitha forcave politike, përmes masave afirmative, që duhet të jenë pjesë e kodit të ri zgjedhor. “Ashtu sikundër besoj, bashkimi i ri përtej kufijve të vjetër, përtej kufijve të Partisë Socialiste, përtej kufijve të opozitës, përtej të majtës dhe të djathtës, është rruga e re e socialistëve dhe e progresistëve dhe është rruga, që do të na çojë në fitore dhe që do mundësojë mbylljen e një kapitulli të gjatë të dështimeve të njëpasnjëshme, të një politike të vjetër, e cila jeton e mbyllur në kutinë e televizorit. Kjo politikë e vjetër, është një politikë, që ushqehet me konflikte, me dasitë, me sherr dhe me episode të pafundme të një telenovele vulgare me të cilën shqiptarët janë tërësisht të neveritur”, shtoi ai. Por cfarë kanë qenë në të vërtetë, kooptimet dhe kapultimet në strukturën më të lartë drejtuese të Partisë Socialiste në periudhën mes dy kongresesh, Asambleja Kombëtare Socialiste ? A ka qenë realisht trupa e 80 grave ithtare të politikës së re ylberiste promotore e “hapësirave”, të reja demokratike në parti, si dhe “transformimeve” historike në partinë kryesore të së majtës? Faktet tregojnë të kundërtën, reforma e vetme e Ramës në këtë drejtim është shndërrimi i KPD-së famëkeqe në një asamble kineze ku vendimet merren në mënyrë gati unanime dhe ku pikërisht janë gratë e reja socialiste ato që janë treguar më të zellshmet në akuzat dhe linçimet mediatike ose jo të kundërshtarëve të linjës zyrtare. Kryesocialisti mund të mburret sot dhe gjitjhë ditën se ka jetësuar utopinë e barazisë gjinore megjithatë pak kush impresionohet nga ky “revolucion” pasi ka ndërmend deklaratat kërcënuese të Mimi Kodhelit, Ledi Shamkut, etj. C’ka të kujton komunistët e linjës së ashpër si Liri Gega, Nexhmije Hoxha, Vito Kapo. Kësisoj rezulton se kuota prej 50 % e grave dhe vajzave nuk përbëjnë gjë tjetër vecse një manovër për të mposhtur njëherë e mirë zërat ndryshe në Partinë Socialiste, ku Rama si “i parë mes të barabartëve është realisht udhëheqësi suprem i selisë rozë”. Përse i përket reformës zgjedhore, ai tha se kjo është një reformë e cila, krijon një debat të zjarrtë, sepse prek drejtpërdrejtë interesa të atyre që bëjnë ligjet dhe reformat për të gjithë të tjerët, është reformë e sistemit politik. “Nuk ka asgjë për t’u çuditur, që kjo reformë krijon debat krijon situata, që në dukje janë paradoksale konvergjencash, që i kapërcejnë kufijtë e kampeve, por që në fakt janë situata krejt normale, mos u çudisni aspak me këtë. E rëndësishme është, që të bëjmë reformën. Kjo është një reformë që kudo ngjall debat. PSSH e ka shumë të qartë objektivin dhe rrugën e saj. Është forca më e madhe politike në Shqipëri. Misioni ynë është të shembim këtë sistem të kalbur politik dhe t’i japim shqiptarëve mundësinë, që të jetojnë ndryshe, të jetojnë më mirë, të jetojnë duke parë të ardhmen dhe sigurisht sistemi politik është garanci për këtë. Ne do të bëjmë misionin tonë”, shtoi më tej ai. Ndonëse vijoi duke thurur lëvdata për forcën e tij politike, Edvini nuk harroi të fantazojë edhe të qënurit të qeverisje. “Ne jemi një forcë lider në rrugën e transformimit të Shqipërisë. Këtë rol po e luajmë në opozitë dhe do ta luajmë nesër në qeverisje. Ne nuk jemi këtu për të hapur apo për të bërë një rrugë konjukturale”, tha ai.  Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›