E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federata e Hemofilisë: Mbështesim krijimin e regjistrit të pacientëve

TIRANË- Federata Botërore e Hemofilisë do të japë mbështetjen dhe konsulencën e saj për hartimin dhe implementimin e Regjistrit Kombëtar të të sëmurëve me hemofili në Shqipëri. Përfaqësues të kësaj Federate, gjatë një takimit sot me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shprehën optimistë lidhur me zhvillimet e ndërmarra dhe trajtimin e kësaj problematike nga Ministria e Shëndetësisë.

Ata kanë shprehur angazhimin e tyre për t’i thelluar arritjet e deritanishme në misionin e përbashkët për përmirësimin e cilësisë së jetës së këtyre pacientëve, si dhe trajtimin e tyre nëpërmjet një mbikqyrjeje të vazhdueshme mjekësore dhe psikologjike për të parandaluar kështu mundësinë e invaliditetit që jep kjo sëmundje.

Vasili ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Federatës Botërore të Hemofilisë, e cila mundësoi futjen për herë të parë në skemën e kontrollit të jashtëm të cilësisë në laboratorin biokimik klinik që merret me kontrollin e faktorëve të koagulimit.

Gjatë takimit, Vasili vuri në dukje kërkesën e vazhdueshme të kualifikimit të mjekëve hematologë, duke e plotësuar skemën e trajtimit të pacientëve hemofilikë edhe përmes investimeve në infrastrukturë (ngritjen e një qendre në QSUT për trajtimin dhe ndjekjen e këtyre pacientëve). Vasili tha se do të bëhen të gjitha përpjekjet për vazhdimësinë e bashkëpunimit me Rajonin e Toskanës pas firmosjes së një marrëveshjeje në muajin Maj që do të sigurojë 3 milionë unite faktori VIII të koagulimit, sasi kjo e mjaftueshme për trajtimin e këtyre pacientëve përgjatë një viti.

Ministri Vasili garantoi të gjithë mbështetjen e tij për krijimin e një grupi pune multidisiplinar, i cili do të bënte të mundur koordinimin e procesit në nivel rajonal.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›