Federer ndjek titullin e shtatë

Roger Federer ka paralajmëruar se avancimi i tij në finale të Roland Garrosit ishte vetëm ngrohje për Wimbledon, ku synon titullin e shtatë. Federer u tregua zemërgjerë duke lavdëruar kampionin në fuqi Rafael Nadal, Novak Djokovic dhe Andy Murrayn, tre rivalët e tij kryesorë për kurorën në Wimbledon.
Por, ai është optimist rreth lojës së tij dhe pasi përfundoi përcjellës i pari i Nadalit në Paris, në rërë dy javë më parë, ai pret që të bëjë një hap më tepër në bari. Ai bëri rrugë të vështirë në Roland Garros, duke ndërprerë serinë e 41 meçeve pa humbje më 2011 të Djokovicit në gjysmëfinale dhe para vetes ka një tjetër mundësi të përballjes me serbin në gjysmëfinale në Wimbledon.
Federer beson se mund të eliminojë sërish Djokovicin. “Po, besoj se po. E di se mund të mposhti Novakun në çfarëdo fushe. E kam bërë në të kaluarën. Vetëm pse është në seri të fitoreve, nuk do të thotë se është i pamposhtshëm. Kështu mendoja edhe para ndeshjes në Paris. Këtu në Wimbledon jam edhe më optimist. Mendoj se do të luaj edhe më mirë se në Paris, andaj pres të paraqitem mirë këtu, madje edhe më mirë se atje”, tha Federer.
Është e pazakontë, siç pranoi edhe Federeri, që katër bartësit e parë të gjithë të jenë në formë të mirë në bari. Dhe, ekziston një mendim i përgjithshëm se kampioni në konkurrencën e meshkujve do të vjen nga ky kuartet, ndërsa i panjohur është vetëm emri i fituesit që do të buzëqeshë më 3 korrik.
“Mendoj se katër të parët ndihen shumë mirë në bari, ku ndoshta në fillim Rafa ende sprovonte veten se sa i mirë mund të jetë. Ne të gjithë e dinim se ai është i mirë në rërë, në fakt i shkëlqyeshëm, por me kalimin e kohës fitoi edhe këtu. Murray po ashtu është i mirë në këtë fushë dhe Djokovic gjithmonë është paraqitur mirë”, shtoi ai.
Federer ka vendosur aq shumë rekorde në karrierën e tij të ndritur sa që u desh t’i përkujtohet se cilin e ndjek në Wimbledon këtë vit.
Mjeshtri zviceran synon të ngritë edhe njëherë trofeun në Wimbledon para se të mbushë 30 vjet në gusht dhe nëse e arrin këtë, do të barazohet me shtatë titujt e Pete Samprasit, i cili e fitoi të fundit më 2000. Federer, i cili mban rekordin me 16 Grand Slam tituj të fituar, u desh të përkujtohet se cilin rekord e ndjek.
“Për cilin rekord e keni fjalën?” Pasi iu sqarua se ishte kuota e Samprasit, ai tha: “Gjithmonë ekziston diçka për t’u arritur dhe nëse fitoj, do të barazohem me Samprasin. Është diçka e veçantë dhe e rëndësishme për mua”, përfundoi ai. Wimbledon fillon të hënën.