Sezoni më i dobët
Sulmuesi i Chelseas, Fernando Torres ka pranuar se sezoni i kaluar ka qenë më i dobëti i tij në Premierligë. Torres u transferua nga Spanja në Angli, kur vendosi të braktisë klubin e tij të fëmijërisë Atletico Madrid për Liverpoolin më 2007.
Reprezentuesi spanjoll shpërtheu menjëherë në Premierligë, duke realizuar gola të shumtë në sezonet e tij të para. Sulmuesi 27 vjeç u largua nga Liverpool dhe kaloi në Chelsea për rekord të futbollit anglez 50 milionë funte gjatë afatit kalimtar të janarit këtë vit, por shënoi vetëm një gol në 19 paraqitje për gjigantin londinez.
Megjithatë, ai ka insistuar se nuk pendohet për transferimin e bërë dhe është optimist se do të shpërthejë në fuqinë e tij të plotë pas fillimit të sezonit të ri. Ndërsa këtë të kaluarin e përshkroi si më të dobëtin gjatë aventurës së tij të deritashme në Angli. “Për mua sezoni i kaluar ka qenë më i dobëti prej kur erdha në Angli”, tha Torres për tabloidin britanik The Sun.
“Preferoj të harroj atë që ndodhi. Por, nuk më vjen keq që kam nënshkruar për Chelsean. Jam i bindur se kur motori i Chelseas të jetë në ritëm të plotë, do të jemi shumë të vështirë për t’u mposhtur. Lëndimi që kam pësuar në fund të Kampionatit botëror dëmtoi paraqitjet e mia dhe i komplikoi gjërat edhe më tepër se në cilëndo fazë të karrierës time të deritashme. Dymbëdhjetë gola në gjithë sezonin janë asgjë për mua. Asnjëherë gjatë sezonit nuk kam luajtur në 100 për qind, si në Liverpool ashtu në Chelsea”, u shpreh ai.
Torres beson se me golat e tij do të udhëheqë Chelsean drejt titullit të kampionit në Premierligë sezonin e ardhshëm. “Shoh shumë gola në ardhje dhe ata do të na sjellin sukses të madh. Manchester United është kampion, por unë insistoj se ne jemi kandidatët kryesorë për t’ua marrë titullin”, vazhdoi ai.
Torres pranoi se asnjëherë nuk do të harrojë aventurën e tij në Liverpool dhe tifozët nga Anfield Road, por tani është i përqendruar të arrijë sukses me Chelsean. “Gjithmonë do t’i kujtoj me zëmër tifozët e Liverpoolit dhe përjetimet e shkëlqyeshme që kam kaluar në Anfield Road. Por, e vetmja gjë që dëshiroj tani janë fitoret me Chelsean”, përfundoi ai.
Liverpool besohet se bleu Torresin për rreth 20 milionë funte nga Atletico Madrid në fillim të sezonit 2007, edhe pse në marrëveshje u përfshi kalimi i mesfushorit Luis Garcia në Vicente Calderon.