E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari në aksion

Kjo javë do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Flamurtarit. Klubi prishtinas mund të bëhet me një kryesi të re, e cila objektiv kryesor ka rikthimin e menjëhershëm të kuqezinjve në Superligë. Madje, ata tashmë i kanë nisur kontaktet me disa futbollistë shqiptarë, të cilët duan t’i transferojnë në ‘Xhemajl Ibishi’, derisa trajner e shohin Agim Hasanin. Nga Valon Konushevci më 19 qershor 2011 në ora 13:00

Java në të cilën po hyjmë do të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e Flamurtarit, i cili pas 40 vitesh e humbi statusin e anëtarit të Superligës.

Tre biznesmenë kosovarë tashmë kanë shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar ekipin prishtinas që të rikthehet sa më shpejt në Superligë. Bëhet fjalë për Ilir Bojkun, Sejdi Brahimin dhe Eroll Vitakun, të cilët e patën ndihmuar shumë Trepçën në edicionin e kaluar të shpallet kampion i Kosovës.

Ndërsa tani të tre ata sytë i kanë kthyer kah Flamurtari. Rreth inkuadrimit të tyre në klubin kuq e zi po ndërmjetëson Ismet Munishi. Ky i fundit konfirmon se ‘treshja’ e lartpërmendur është e gatshme të sakrifikohet për Flamurtarin.

Sipas Munishit, gjatë javës së ardhshme do të qartësohet gjithçka rreth kësaj çështjeje, pas një mbledhjeje që do ta mbajë kryesia aktuale e Flamurtarit.

“Shumë shpejt Flamurtari do ta mbajë një kuvend pune, ku do të diskutohet e ardhmja e Flamurtarit. Aty do të precizohet gjithçka dhe të shohim se a do të arrihet marrëveshja e hyrjes së këtyre biznesmenëve”, thotë Munishi.

Në anën tjetër, edhe zyrtari i Flamurtarit, Muhamet Praparshtica tregon se kuqezinjtë shpejt do ta mbajnë një mbledhje për të diskutuar rreth të ardhmes së klubit. “Besoj se të hënën do të dihet diçka rreth të ardhmes së klubit, pasi kryesia ta mbajë një mbledhje”, pohoi ai.

Sido që të jetë, duket se biznesmenëve që ia kanë mësy Flamurtarit nuk u pritet t’i nisin punët rreth rimëkëmbjes së këtij klubi. Ata tashmë i kanë parasysh objektivat, të cilat duan të mbërrijnë gjatë edicionit të ardhshëm me ekipin prishtinas.

“Synimi kryesor i këtyre njerëzve është që ta fitojnë Kupën e Kosovës në edicionin e ardhshëm dhe Flamurtari të rikthehet në Superligë si kampion i Ligës së Parë”, thotë Munishi.

Madje, ata të shtunën kishin udhëtuar drejt Shqipërisë për të biseduar me dy futbollistë, të cilët po mendojnë t’i transferojnë shpejt në stadiumin ‘Xhemajl Ibishi’. Ndërkohë, ata synojnë të bëjnë ndryshime edhe në shtabin teknik.

“Po duam t’i sjellim dy lojtarë në Flamurtar, por emrat e tyre njëherë përnjëherë nuk duam t’i bëjmë të ditur. Sa i përket trajnerit, oferta e parë do t’i bëhet Agim Hasanit. Nën udhëheqjen e tij, Flamurtari ishte në ditët më të mira dikur. Ai është ideal për atë pozitë. Kurse për trajner tjetër do të interesohemi vetëm atëherë nëse Agim Hasani, legjenda e klubit, nuk dëshiron ta merr këtë pozitë”, përfundoi Munishi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›