E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrokaj: Mesatarja, më shumë peshë në maturë

Universitetet kërkojnë studentë më cilësorë. Rritet numri i kuotave të propozuara
Universitetet publike shqiptare kërkojnë studentë më cilësorë nga gjimnazet. Për të arritur këtë, drejtuesit e katedrave universitare kanë dhënë edhe propozime konkrete. I tillë është edhe mendimi që ofron dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, në UT, Shezai Rrokaj. Sipas tij, mesatarja e të gjithë viteve të shkollës së mesme, duhet të ketë një koeficient më të lartë. Pra një peshë më të madhe në elementët vlerësues të maturës shtetërore. Për rrjedhim, një gjë e tillë do të bënte që të rinjtë të përkushtoheshin më tepër gjatë studimit në shkollën e mesme, duke ofruar edhe një përgatitje më cilësore për auditorët universitarë.
“Mendoj që vitin që vjen duhet të mbyllet i gjithë cikli i përcaktimit të maturës shtetërore, ku të ndahet përfundimisht matura shtetërore nga pranimet në universitete, që është shumë e rëndësishme dhe e dyta, që t’u jepet një koeficient vlerësimi shumë më i madh, katër viteve të studimit dhe provimet e Letërsisë dhe Matematikës të përfshihen në tërësinë e notave që merr nxënësi gjatë katër viteve”, propozon Shezai Rrokaj, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.Lidhur me këtë çështje është shprehur edhe vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai ka shpjeguar se të paktën për këtë vit nuk do të ketë asnjë ndryshim lidhur me peshën e mesatares në llogaritjen përfundimtare të fituesve. “Mesatarja do të vazhdojë të zërë 20% të peshës. Nuk do të ndryshojë as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm, as numri i lëndëve me zgjedhje dhe as vetë lëndët me zgjedhje”, është shprehur Tafaj.
Një tjetër ide e propozuar nga ish-rektori i Universitetit të Tiranës është edhe korrigjimi i testeve të provimeve në mënyrë elektronike. Një gjë e tillë, sipas Rrokajt, do të shmangte çdo lloj abuzimi, por do të eliminonte edhe çdo mundësi në gabimet që mund të ndodhin në hedhjen e të dhënave.Nga ana tjetër, dekani Rrokaj konfirmon se edhe këtë vit, janë propozuar më shumë kuota të reja pranimesh, duke pasur parasysh kërkesat në rritje të maturantëve, të cilët duan që të ndjekin arsimin e lartë. “Duke e menduar shkollimin si një të drejtë të tyren dhe në këto kushte, ne kemi propozuar kuota 10 për qind më të larta se sa viti i mëparshëm”, pohon Rrokaj.
Ndryshimet e fundit që iu bënë rregullave të mbarëvajtjes së Maturës Shtetërore 2010, të cilat u bënë publike dy ditë më parë nga vetë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, janë mirëpritur edhe nga dekanët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës. Po kështu edhe nga prindër e nxënës maturantë. Për këta të fundit ministria bëri edhe një lëshim që nuk ekzistonte më parë. Në maturën e këtij viti edhe ata nxënës, të cilët rezultojnë ngelës në njërin nga provimet e lirimit, të Matematikës apo të Letërsisë, mund të hyjnë në provimet e lëndëve me zgjedhje, duke mos humbur kështu të drejtën për të garuar për në auditorët universitare. Provimin e humbur të lirimit mund ta japin në vjeshtë, ndërkohë që rezultati i lëndëve me zgjedhje u njihet edhe për vitin tjetër, nëse qëndrojnë në këtë garë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›