Gjinushi: Tryeza te Topi është e sforcuar. Nuk jep zgjidhje
“Si e tillë s’ka çfarë të prodhojë”. Milo: Kusht transparenca
Aleatët e selisë rozë këmbëngulin që rezultati i negociatave të garantojë transparencën e zgjedhjeve, jo vetëm si detyrim për shkeljet e zgjedhjeve të kaluara në të cilën ata thonë se janë dëmtuar mjaft, por edhe si paraprijë e zgjedhjeve të ardhshme. Nga ana tjetër, kreu socialist është shprehur i sigurt se vijon kontaktet me forumin opozitar, duke përforcuar çdo ditë se nëse tryeza nuk ka rezultatin e duhur do të vijojnë protesta dhe bojkoti. Eglantina Gjermeni, deputetja e kësaj partie, iu përgjigj dje Kryetares së Kuvendit me vendosmërinë që nëse nuk bëhet hetimi i zgjedhjeve, do të vijojnë qëndrimi aktual i opozitës. Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, nuk beson se tryeza te Presidenti do të ketë rezultat. Sipas tij, një tryezë e imponuar mund të japë veçse një zgjidhje e imponuar. I pyetur nga gazeta “Shqip” se me çfarë kërkese konkrete duhet të shkojë Rama përballë Berishës, Gjinushi u shpreh se “në tryezë është tashmë e qartë që do të shkohet me kushtin themelor ku fillon dhe mbaron gjithçka, e drejta themelore e transparencës së votës”. Gjinushi përforcon idenë se kushti për hapjen e kutive është i panegociueshëm, ndërsa pyetjes nëse mund të bëhet vetëm një hapje e pjesshme kutish si kompromis, kreu socialdemokrat iu përgjigj se “kjo duket sikur po e hape pak dhe kupton se vjen erë, thua lëre fare”. Megjithatë, Gjinushi kujton se PS-ja nuk duhet të lëshojë pe për asnjë gjë. Kjo, sepse ka katër vjet që opozita lëshon e toleron karshi kësaj mazhorance për hir të konsensusit. “Pas katër vjetësh lëshimesh si KKRT, KQZ, zgjedhjet presidenciale etj., tani opozita nuk ka çfarë të lëshojë më”, tha Gjinushi. Sakaq, ai u shtohet zërave që besojnë se tryeza nuk do të ketë produkt. “është një tryezë e imponuar dhe e sforcuar ndaj si e tillë s’ka çfarë të prodhojë, por është një shije e keqe për Berishën, i cili për të 17-n herë apo të 30-n herë ka përdorur fjalën mafioz dhe detyrohet të lëpijë atë që ka thënë, duke kërkuar zgjidhje. Por s’besoj se do ketë zgjidhje, pasi u imponua nga shkulja e dhëmbëve dhe rrjepja e lëkurës. Nga ana e Berishës nuk ka ndonjë ndryshim apo reflektim”, tha ai.
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, rendit dy kërkesa që PS-ja duhet t’i ketë parasysh në tryezën e negociatave. E para është hetimi apo transparenca e zgjedhjeve dhe e dyta lidhet me reformën në Kodin Zgjedhor, ku të hiqet dorë nga përjashtimi siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara. “Kërkesa e parë e Partisë Demokracia Socialiste lidhet me garantimin e transparencës së zgjedhjeve, për të cilën ne jemi të interesuar qysh në fillim, sepse jemi të prekur nga vjedhja e votës dhe manipulimet e shumta”, tha Milo, ndërsa kërkesa tjetër e kësaj partie shkon deri në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, “PDS-ja dëshiron që të garantohet reforma në sistemin zgjedhor, ku të jetë kriter gjithëpërfshirja dhe jo përjashtimi siç ndodhi herën e fundit, kur u pa mirë që ishte gabim”. Ndërkohë, deputetja socialiste Gjermeni garantoi dje se PS-ja nuk tërhiqet nga kërkesat e saj. “Bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Vetëm transparenca e rikthen PS-në në Kuvend, ndërsa kutitë e mbyllura do të rinxjerrin popullin në rrugë. Të hapen kutitë për t’i dhënë fund bojkotit”, tha ajo.
#