E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fehmi Abdiu: Duhen 3/5-at e deputetëve në votim

09/01/2012  Anëtari i Gjykatës Kushtetuese flet për procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit

Mazhoranca: Ne i kemi votat, Kushtetuta flet qartë për Presidentin

Beteja mes mazhorancës dhe opozitës për zëvendësuesin e Bamir Topit në krye të shtetit shqiptar duket se ka ndezur debatin politik në këtë fillim viti. Mes partive politike ende nuk ka një kompromis, por mazhoranca ka shprehur qartë frikën e saj në lidhje me ndonjë bllokim të mundshëm të procesit nga kampi opozitar, që do të thoshte dhe një bllokim i vendimit të BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në familjen europiane në qershor të këtij viti.

Ngërçi i votave

Pavarësisht deklaratave të bëra nga eksponentë të mazhorancës gjatë këtyre ditëve se presidenti i ardhshëm do të zgjidhet pas raundit të tretë me shumicë të thjeshtë, koalicioni qeverisës nuk i kapërcen 74 numrat në Kuvend. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 87, pika 3 e saj parashikon se “presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.” Por për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu Kushtetuta imponon pjesëmarrje të veçantë në seancë, pra të paktën 3/5-at e deputetëve në votimin e presidentit. Në vijim të interpretimit të tij dhënë dje për mediet Abdiu shtoi se në rastin e zgjedhjes së zotit Topi më 2007-n u shkel parimi i kuorumit në Kuvend. Për konstitucionalistin Abdiu një interpretim nga Gjykata Kushtetuese para votimit të presidentit të ri do t’i mbyllte derën një debati potencial që mund të shoqërojë këtë procedurë. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dy ditë më parë deklaroi se Kushtetuta e Shqipërisë është e qartë dhe nuk ka nevojë për interpretim lidhur me zgjedhjen e presidentit të vendit. Anëtari i Komisionit të Ligjeve u shpreh se edhe në tri raundet e para, kur presidenti nuk mund të zgjidhet pa 84 vota, shumica e të pranishmëve në sallë është e thjeshtë, 71 deputetë. “Eksperienca parlamentare e vendit ka treguar se si për votimet me shumicë të thjeshtë, ashtu dhe për ato më shumicë të cilësuar kuorumi i deputetëve është 71 dhe Partia Socialiste nuk mund ta bllokojë këtë proces as në vitin 2012”, – deklaroi dy ditë më parë Alibeaj në lidhje me debatin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Opozita ka gjasa që të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim të nenit 87 të Kushtetutës para zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Por në nenin përkatës nuk përmendet domosdoshmëria që në tri raundet e para në sallën e Kuvendit të jenë regjistruar tri të pestat e deputetëve.

Kushtetuta: 71 deputetë zgjedhin presidentin

Në ligjin themeltar të shtetit nënvizohet se në tri raundet e para fiton ai kandidat që merr mbështetjen e përkthyer në votë nga tri të pestat e deputetëve. Konkretisht, neni 87 të Kushtetutës, e ndryshuar me mirëkuptim nga mazhoranca dhe opozita në pranverën e vitit 2008, thotë: “Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Pra, në rast se asnjë prej kandidatëve nuk merr tri të pestat e votave të deputetëve, në raundin e katër kreu i shtetit zgjidhet edhe me 71 vota. Opozita është e vetëdijshme se mazhoranca i ka votat e nevojshme për të zgjedhur Presidentin e Republikës me 71 vota, sikundër sanksionohet në Kushtetutë. Por pakica e majtë ka bërë gati një strategji për të bllokuar procesin, duke u bazuar në argumentin se për zgjedhjen e presidentit në tri raundet e para është e nevojshme një kuorum prej 3/5-at e deputetëve kur të votohet në tri raundet e para të garës presidenciale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›