Feith: “Decentralizimi, autonomi të plotë serbëve”
Serbët në Kosovë do të gëzojnë autonomi të plotë me procesin e decentralizimit dhe këtë autonomi asnjë popull i Europës nuk e ka gëzuar ndonjëherë. Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Piter Feith, gjatë një takimi me studentët e Universitetit “AAB-Riinvest” në Prishtinë. Feith ka thënë se procesi i decentralizimit, si një përpjekje e përbashkët e institucioneve vendase e ndërkombëtare në Kosovë, ka për qëllim përmirësimin e qeverisjes lokale dhe është një obligim që vjen nga pakoja e Ahtisarit. Ndërsa, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka thënë se gjatë një viti pune janë arritur rezultate të mira dhe se bashkëpunimi me qytetarët e komunitetit serb është në rritje.
EULEX-i do të hetojë për krimet e luftës në Kosovë
Bashkimi Europian do të hetojë më shumë se 1.000 raste të krimeve të luftës në Kosovë, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura edhe një dekadë pas përfundimit të luftës. Kështu u shpreh të mërkurën një prokuror i BE-së. “Dosjet për rastet e pazgjidhura i janë dorëzuar EULEX-it”,- tha për gazetarët Theo Jakobs, kryeprokurori i misionit. “Kemi 275 hetime që vazhdojnë dhe raste të kaluara nga prokurorët e UNMIK-ut tek ata të EULEX-it. Në 60 raste bëhet fjalë për krime lufte”,- tha Jakobsi. Kryeprokurori i misionit të BE-së në Kosovë tha se misioni përballet me një detyrë të vështirë, në hetimin e rasteve të krimeve të luftës. “Kjo do të jetë një sfidë për EULEX-in në muajt që vijnë. Burimet tona janë të kufizuara, por kemi besim të plotë se në fund do të kemi sukses”,- tha Jakobs.
5 Qershor 2009