Obama: “Gati për një fillim të ri me Islamin, larg luftës”
Blerina Olldashi
Presidenti amerikan Barak Obama në fjalimin që mbajti në Kajro tha se Amerika nuk do luftë me Islamin, por nuk do të lejojë ekstremistët që të kërcënojnë sigurinë. Kreu i SHBA-ve ka bërë thirrje për një fillim të ri mes Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve në mbarë botën. Fjalimi i mbajtur në Universitetin e Kajros konsiderohet historik Obama theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Islami nuk janë të veçuara, as konkurente, madje kanë parime të përbashkëta të tolerancës dhe dinjitetit të të gjithë qënieve. Menjëherë pas fjalimit reagoi Lëvizja islamike e Hamasit. Zëdhënësi i saj ka deklaruar se kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë është ndryshe nga parardhësi i tij Xhorxh Bush, por ka theksuar se ka gjëra që duhen sqaruar. “Fjalimi i Obamës përmban kontradikta të shumta, por reflekton një ndryshim rrënjësor”,- ka deklaruar zëdhënësi Fauzi Barhoum. Presidenti Barak Obama në fjalimin e tij theksoi se SHBA-të nuk synojnë asnjë territor, bazë ushtarake apo burim nga Iraku dhe Afganistani, po do të vazhdojnë të qëndrojnë atje për sa kohë jeta e njerëzve të pafajshëm të jetë në rrezik. Ai tha se asnjë sistem qeverie nuk duhej të imponohej mbi një vend apo tjetrin, por qeveritë duhet të reflektonin vullnetin e popullit dhe të ishin transparente. Sipas presidentit Obama, forcat amerikane kishin shkuar në Afganistan nga nevoja e mbrojtjes, pas sulmeve të 11 shtatorit, për të ndjekur Al Kaedën dhe Talibanin. Megjithët kjo i kishte kujtuar Amerikës nevojën për të përdorur diplomacinë dhe për të ndërtuar një konsensus ndërkombëtar. Në idhje me zgjidhjen për konfliktin izraelito-palestinez, e vetmja alternativë ishte që aspiratat e të dyja palëve të realizoheshin përmes dy shteteve që do të jetonin në paqe dhe siguri. Presidenti Obama më pas iu kthye çështjes së armëve bërthamore dhe tensioneve mes SHBA-ve dhe Iranit. Ai tha se Irani e kishte karakterizuar veten për vite të tëra, pjesërisht prej kundërshtimit ndaj Amerikës. Sipas presidentit, gara e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme duhej të parandalohej. Çdo vend, përfshirë edhe Iranin, duhet të ketë të drejtën për energji bërthamore nëse respektonte traktatin e mospërhapjes bërthamore. Duke folur për të drejtat e grave, Presidenti Obama tha se hidhte poshtë pikëpamjen që kanë disa në perëndim, se ato që mbulojnë kokën me shami janë më pak të barabarta. Po ashtu Obama premtoi edhe mbylljen e burgut të Guantanamos në fillim të vitit të ardhshëm.
5 Qershor 2009