E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët brazilianë: Nuk ka shenja terrorizmi për avionin



Brazili hedh poshtë çdo mundësi për terrorizëm ndaj avionit francez të rrëzuar në Atlantik. Ministri brazilian i Mbrojtjes, Nelson Zhobim tha se njollat e naftës të zbuluara në oqean tregojnë se ka shumë pak mundësi që avioni i kompanisë “Air France” me numër fluturimi 447 të jetë shkatërruar nga ndonjë shpërthim. Avioni u zhduk të hënën përballë brigjeve të Brazilit pak pas nisjes nga Rio de Zhaneiro drejt Parisit. Të 228 udhëtarët dhe ekuipazhi mendohet të kenë vdekur. Zhobim tha se njollat e naftës tregojnë se avioni nuk duhet të jetë djegur.
Zyrtarët thonë se nuk shikojnë shenja të ndonjë akti terrorist por kreu i hetimeve për palën franceze, Pol Lui Arslanian tha se shkaku i saktë i fatkeqësisë mund të mos mësohet kurrë. Ndërkohë mediat franceze thonë se rrëzimi i avionit ndodhi për shkak të shpejtësisë shumë të madhe me të cilin po ecte dhe ky ka qenë shkak për copëtimin në ajër të mjetit fluturues. “Ka shumë mundësi që për shkak të shpejtësisë tepër të madhe, avioni është copëtuar që në ajër. Mbetjet e shpërndara në një hapësirë prej 300 kilometrash janë një provë për këtë”, shkruan gazeta franceze “Le Monde” në shërbimin e saj në internet.

Kina kritikon Klintonin: Akuza të pabaza

Deklaratave të sekretares amerikane të Shtetit për hetim të ngjarjeve të errëta të historisë u është përgjigjur Kina, e cila thotë se këto deklarata lidhur me masakrën e Tienanmenit 20 vjet më parë janë akuza të pabaza dhe një ndërhyrje e rëndë në punën e brendshme të Kinës. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton i bëri thirrje Kinës që të mbajë përgjegjësi për ata që janë vrarë, ndaluar apo që u zhdukën pas shtypjes së protestave. Këto komente vijnë në 20 vjetorin e vrasjeve në sheshin Tiananmen. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Qin Gang ishte shumë i qartë. Ai tha se Kina shprehte një pakënaqësi të madhe dhe një kundërshtim të palëkundur ndaj komenteve të Sekretares amerikane. Duke folur gjatë një konference të rregullt për shtyp, zoti Qin tha se akuzat e papabaza ishin në kundërshtim me normat e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai tha se vërejtjet mund të kishin pasoja, duke penguar marrëdhëniet mes të dyja vendeve.

5 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›